Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, e ka cilësuar vizitën e Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, si e ardhme e ndritur e partneritetit ndërshtetëror.
“Kjo vizitë është një mesazh i qartë në mbështetje të shqiptarëve, politikës tonë jashtme dhe të ardhmes së Shqipërisë në rrugën drejt integrimit në BE”, ka shkruar Begaj në Facebook.
Tutje Begaj ka thënë se Shqipëria dhe SHBA kanë qenë së bashku në mbështetje të Ukrainës si aleatë në NATO, duke kontribuar në misione në Afganistan dhe Irak. Ai ka shtuar se vendi është i përkushtuar edhe tutje për sigurinë rajonale e globale.
“Jemi falënderues për atë që SHBA kanë bërë dhe ju po bëni për demokracinë shqiptare, sundimin e ligjit, veçanërisht reformën në drejtësi, mbrojtjen, sigurinë dhe sigurinë kibernetike, arsimimin dhe ekonominë përmes programeve të ndryshme mbështetëse”, ka shkruar Begaj.