Shkup, 12 maj – Për ne është e papranueshme të qëndrojmë në qeverinë e njejtë me një subjekt që është në marrëveshje me BDI-në e pareformuar. Lëvizja ZNAM edhe në programin e saj parazgjedhor ka folur për nevojë urgjente për “çzaptim” të shoqërisë. Nën “bdizimin” nuk nënkuptojmë albanofobi, por përkundrazi, “bdizim” që nënkupton një sistem i qeverisjes së korruptuar dhe kriminale. Një sistem që ka shkatërruar sistemin institucional, tha sot nënkryetarja e Lëvizjes ZNAM – Për Maqedoninë tonë dhe nënkryetare e Kuvendit Vesna Bendevska.
Në pyetjen e gazetarëve se si e vlerëson koalicionin qeveritar, pasi kryeministri Hristijan Mickoski njoftoi se lideri i njërit krah të Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari largohet nga Qeveria, Bendevska tha se kryeministri dje e ka njoftuar qëndrimin e tij.
“Kryeministri Mickoski dje e tha qëndrimin e tij, por Lëvizja ZNAM – Për Maqedoninë tonë disa herë e ka treguar qëndrimin e saj. Për ne është e papranueshme të qëndrojmë në Qeverinë e njejtë me një subjekt i cili bën marrëveshje me BDI-në e pareformuar”, tha Bendevska.
Lidhur me komunikimin me deputetët e krahut të Aleancës për Shqiptarët të udhëhequr nga Arben Taravari dhe nëse mund të ketë ndonjë njoftim se disa prej tyre do të mbeten me shumicën, Bendevska tha se “anëtarët e Aleancës për Shqiptarët nuk morën pjesë në koordinim dhe do të ishte vërtet e papërgjegjshme të deklarohej se çfarë do të ndodhë me deputetët”.
Në lidhje me deklaratën, sërish, të liderit të Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti se Qeveria nuk ka legjitimitet etnik, duke e marrë parasysh atë që me shumicën qeveritare mbesin vetëm nëntë deputetë shqiptarë, nënkryetarja e ZNAM-it tha se “kjo Qeveri është gjithçka, jo vetëm monoetnike”.
“BDI shkoi më tej dhe e quajti këtë qeveri monoetnike. Një nga katër subjektet politike që e formuan Vlenin po largohet. Mbesin vetëm tre parti politike, tani të bashkuara në një subjekt politik Vlen dhe kjo Qeveri është gjithçka, vetëm jo monoetnike”, thotë Bendevska.
