Presidenti i sapozgjedhur i Rumanisë, Nicusor Dan, u betua zyrtarisht këtë të hënë.
Pas betimit mbajti një fjalim ku premtoi të trajtonte problemet ekonomike të Rumanisë dhe të ishte një president “i hapur ndaj zërit të shoqërisë”.
Dan arriti të mposhtë kundërshtarin e tij, George Simion, më 18 Maj.
Ky i fundit vendosi të kontestojë rezultatin e zgjedhjeve duke paraqitur kërkesën e tij për anulimin e rezultateve të zgjedhjeve në Gjykatën Kushtetuese të Rumanisë por gjykata e hodhi poshtë unanimisht këtë kërkesë të cilën e cilësoi si të pabazë.
Simion kryesoi lehtësisht raundin e parë të votimit më 4 Maj, duke bërë fushatë kundër “politikave absurde” të BE-së dhe duke u zotuar të shkurtojë ndihmën për Ukrainën.
Por Dan fitoi pothuajse 54 përqind të votave në balotazh. Zgjedhja e tij në këtë post i jep fund krizës më të keqe politike që ka përfshirë vendin e Bashkimit Evropian në dekada.
Ai merr drejtimin e vendit në një kohë kur Rumania përballet me një krizë të deficitit buxhetor dhe një humbje të besimit në demokraci.
