Shkup, 22 qershor – Pas letrës publike të hoxhës Sadulla Bajrami ndaj VLEN-it, reagon Bilgin Hajredini udhëheqës i sektorit për arsim dhe shkencë në Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup.
“Me gjithë respektin, dashurinë dhe mirënjohjen që kam për Ju – jo vetëm si njeri i dijes dhe fesë, por si një njeri i vuajtjeve dhe përkushtimit për këtë popull – më detyron zemra dhe ndërgjegjja të them disa fjalë.
Letra juaj më tronditi. Jo sepse nuk ka të vërteta në të, por sepse u shkrua në një moment të padrejtë dhe me një drejtim të gabuar. U shkrua si kritikë për një qeveri që ka vetëm pak muaj që është në detyrë, por nuk u shkrua për ata që për 24 vite na lanë të përbuzur, të harruar, të poshtëruar dhe të tradhtuar.
Ku ishte ky zë kur BDI-ja për dy dekada tallte sakrificën tuaj?
Kur ata ndërtonin pallate mbi gjakun e idealistëve dhe nënçmonin veteranët si barrë shoqërore? Kur fëmijët tanë diskriminoheshin sistematikisht në universitete, në konkurse, në kufi, në administratë, dhe askush s’u përgjigj për këtë? Atëherë, pse heshti pena juaj?
VLEN-i mund të ketë gabime, mund të mos jetë perfekt – asnjë qeveri nuk është. Por të sulmohet tani, në momentin kur po përpiqet të kthejë drejtësinë që për 20 vite u mohua, është jo vetëm padrejtësi, por edhe ndihmë për ata që realisht na shkelën dhe na përdorën.
Po ju kujtoj me dhimbje:
• Nuk ishte VLEN që i hapi dosjet dhe i tradhtoi ushtarët,
• Nuk ishte VLEN që emëroi kriminelë në institucione,
• Nuk ishte VLEN që heshti kur dhunohej në mënyrë sistematike identiteti ynë nëpër polici e nëpër kufij.
Ndaj, ju lutem, mos i barazoni. Mos i mbuloni krimet e të djeshmëve me kritikë për të sotmit.
Edhe vetë Zoti në Kuran urdhëron drejtësi, edhe kur është kundër vetes dhe të afërmve tanë.
Unë ju dua për hir të Zotit dhe e di që flisni nga zemra e një burri të lënduar. Por ju lutem, mos lejoni që kjo dhimbje të përdoret si vegël për ata që kanë interes ta mbajnë këtë popull në plagë e në përçarje.
Drejtësia vonon, por nuk harron. Dhe Zoti është dëshmitar për gjithçka.”, ka shkruar Bilgin Hajredini