Shkup, 22 korrik – Në një takim mobilizues me strukturat e BDI-së në Komunën e Sarajit, Blerim Bexheti, ka shprehur bindjen për një fitore të re në zgjedhjet lokale të tetorit, të cilat i cilësoi si “referendum politik për të ardhmen e shqiptarëve”.
“Saraji i bashkuar dhe i vendosur drejt fitores së radhës!”, ka deklaruar Bexheti në fjalimin e tij para të pranishmëve, duke shtuar:
“Në këtë moment, në prag të referendumit të tetorit, strukturat dhe aktivistët u mblodhën për të treguar unitet, përkushtim dhe gatishmëri të plotë për të çuar përpara vullnetin e qytetarëve.”
Takimi u zhvillua në atmosferë entuziaste në selinë në Reçicë, ku Bexheti theksoi se bashkimi i Sarajit nuk është vetëm organizim elektoral, por përgjigje ndaj sfidave politike dhe përpjekjeve për të zbehur vullnetin dhe fuqinë e shqiptarëve në pushtet lokal dhe qendror.
