Shkup, 1 shtator, argument.mk/ – Ministrja e energjisë, minierave dhe burimeve minerale, Sanja Bozhinovska, zhvilloi një takim pune me Bordin e ri Drejtues dhe Bordin Mbikëqyrës të NOMAGAS SHA Shkup. Në takim u diskutuan aktivitetet dhe projektet prioritare të kompanisë, me fokus në zhvillimin e infrastrukturës së gazit dhe rritjen e përdorimit të gazit natyror në vend.
Në takim u diskutua për projektet strategjike që janë aktualisht në zhvillim dhe që kanë rëndësi të veçantë për diversifikimin dhe avancimin e infrastrukturës së gazit. Interkonektori me Greqinë është në fazën përfundimtare, ndërsa paralelisht po intensifikohen aktivitetet dhe bisedimet për realizimin e interkonektorit me Serbinë. Këto projekte do t’i forcojnë më tej mundësitë e Maqedonisë për qasje në burime dhe drejtime të ndryshme të furnizimit me gaz natyror.
Në këtë kuadër, u theksua edhe rëndësia e bashkimit të Maqedonisë me Korridorin Vertikal, që pritet të realizohet në shtator. Ky hap do të krijojë mundësi të reja për diversifikimin e furnizimit me gaz dhe forcimin e sigurisë energjetike të vendit. Në fokus edhe gazifikimi i komunave, me synimin për të përshpejtuar procesin në terren. Në takim u diskutua për mekanizma shtesë që do t’i nxisnin komunat të përfshihen më aktivisht, ndërsa shteti do të vazhdojë të krijojë kushte për qasje më të lehtë dhe më të përballueshme në infrastrukturën e gazit.
„Qëllimi ynë është që gazifikimi të mos mbetet vetëm një projekt infrastrukturor, por të krijojmë kushte që gazi natyror të bëhet realisht i qasshëm për sa më shumë komuna, institucione dhe qytetarë. Për këtë nevojitet koordinim mes shtetit, komunave dhe NOMAGAS-it, por edhe mekanizma të qartë për përshpejtimin e procesit”, theksoi ministrja Bozhinovska.
Në takim u theksua nevoja për përshpejtimin e realizimit të projekteve kapitale, menaxhim efikas të infrastrukturës së gazit dhe koordinim të ngushtë mes Ministrisë dhe NOMAGAS- it, me qëllim krijimin e një sistemi energjetik të qëndrueshëm, të diversifikuar dhe konkurrues.
Bordin e ri Drejtues të NOMAGAS-it e kryeson Nedim Rama, i cili mban edhe detyrën e drejtorit të përgjithshëm. Krste Miladinov është nënkryetar i Bordit Drejtues dhe zëvendësdrejtor i përgjithshëm. Anëtarë të Bordit janë gjithashtu Boshko Stefanovski, Hajriz Buci dhe Ognen Dimitrov. Në Bordin Mbikëqyrës bëjnë pjesë Ivo Malinov, anëtar i pavarur dhe kryetar i Bordit Mbikëqyrës, Agim Mahmuti, anëtar i pavarur, si dhe Zlatko Acevski, Katerina Gicev dhe Sasha Angelovski.
Takimet e rregullta të punës janë një mekanizëm i rëndësishëm përmes të cilit Ministria siguron koordinim dhe bashkërendim të vazhdueshëm, si dhe ndjekje në kohë të realizimit të projekteve strategjike dhe prioriteteve në sektorin e gazit, me qëllim zbatimin efikas të aktiviteteve të planifikuara dhe forcimin e sigurisë energjetike.


