Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) publikon të dhënat lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin prill 2025.
Në njoftimin për media thuhet se të dhënat nga tregtia e jashtme e mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar prej 15,2% në muajin prill 2025, në raport me periudhën e njëjtët të vitit 2024, gjegjësisht në vlerë prej 492,3 milionë euro, krahasuar me deficitin prej 427,5 milionë euro në vitin 2024. Eksporti mbulon importin me 13,0%.
“Eksporti i mallrave në muajin prill 2025 kishte vlerën 73,8 milionë euro, ndërsa importi 566,2 milionë euro, që është një rritur prej 0,9% për eksport, si dhe një rritje prej 13,1% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2024”.
Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 23,1% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 13,9% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 11,8% e përbëjnë ushqimet e përgatitura; 10,1% e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; pijet dhe duhani; 6,8% e përbëjnë produktet minerale, etj.
Ndërsa sipas të dhënave të grupeve kryesore të importit: 12,9% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 12,8% e përbëjnë produktet minerale; 12,6% e përbëjnë mjetet e transportit; 11,1% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 9,1% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre, etj.
