Prishtinë, 01 korrik, Zhurnal.mk – Në Gjykatën Themelore në Prishtinë të mërkurën ka dështuar të nisë gjykimi në mungesë ndaj 21 të akuzuarve lidhur me dëbimin e mbi 800 mijë shqiptarëve gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999.
Seanca ka dështuar për shkak të mungesës së avokatëve mbrojtës.
Avokati Amer Alija tha se rastet e krimeve të luftës kanë pritur mjaftueshëm për trajtim.
“Po, ne e kemi parë që sot ka qenë seanca fillestare në rastin kundër Zllatan Mirpeshiq dhe të tjerëve, apo ndryshe që quhet rasti i dëbimit, që ka qenë dëbimi i popullatës civile gjatë periudhës janar-qershor të vitit ’99 në komunën e Prishtinës. Seanca e sotshme është shtyrë për të themi për mungesë të prezencës së të gjithë avokatëve, të cilët janë caktuar sipas detyrës zyrtare, edhe pse sigurisht që të njëjtit janë caktuar paraprakisht nga Oda e Avokatëve. Sigurisht që Gjykata duhet të kujdeset në bashkëpunim me Odën e Avokatëve që të sigurohet prezenca e avokatëve të cilët janë të caktuar sipas detyrës zyrtare dhe të mos ndodhin shtyrje të seancave për arsye se rastet e krimeve të luftës kanë pritur mjaftueshëm, kanë pritur 27 vite dhe viktimat e krimeve të luftës, sigurisht që me kalimin e kohës vdesin edhe dëshmitarët, vdesin edhe kryesit e krimeve të luftës”, tha Alija në një prononcim për media.
Ai tha se është sfidues numri i madh i personave që janë të akuzuar.
“Por sigurisht që është edhe sfiduese kur është numri i madh i personave të akuzuar. Në këtë rast janë të akuzuar 21 pjesëtarë të forcave serbe, kryesisht me përgjegjësi të komanduesve, dhe sigurisht që avokatët të cilët duhet të caktohen duhet t’i trajtojnë rastet me profesionalizëm, duhet të ofrojnë mbrojtje efektive, për arsye se një prej kushteve apo kritereve në gjykimet në mungesë duhet të sigurohet edhe mbrojtja efektive dhe nuk duhet të sigurohet vetëm mbrojtje formale. Ne sot kemi dëgjuar që shumica e avokatëve nuk janë pajisur as me aktakuza, dhe sigurisht që kjo tregon që duhet të ndërmerren hapat, qoftë nga Gjykata, qoftë nga Oda, që këto rastet në mungesë duhet të trajtohen me profesionalizëm, me seriozitet dhe të mos bëhen shtyrje për shkaqe teknike”, tha Alija, raporton EO.
Prokuroria Speciale ngarkon 21 të akuzuarit se gjatë muajit janar dhe qershor të vitit 1999, përgjatë konfliktit të armatosur dhe luftës në Kosovë, kishin ushtruar autoritet dhe kontroll efektiv mbi forcat që vepronin nën përgjegjësinë e tyre në regjionet në të cilat kishin zonat e përgjegjësisë sipas pozitave të lartpërmendura.
Aty thuhet se të akuzuarit kanë qenë në dijeni dhe kanë pasur informacione, si dhe bazuar në raportet operative, komunikimeve të brendshme dhe vetë prezencës nëpër zona, kanë qenë në njohuri të mjaftueshme që nën kontroll të tyre po kryheshin veprime që përfshinë shkatërrimin e pronës, përfshirë djegien e shtëpive dhe objekteve të infrastrukturës civile, përndjekjen dhe ndalimin arbitrar të personave në baza etnike, përfshirë sulme të armatosura ndaj fshatrave dhe qyteteve të banuara me popullsi civile shqiptare, me qëllim të zhvendosjes me dhunë.
Këto veprime, sipas aktakuzës, rezultuan me organizimin e kolonave të detyruara të civilëve shqiptarë me qëllim të dëbimit nga Kosova në drejtim të Republikës së Shqipërisë dhe Maqedonisë, që gjithsej ishin 862 mijë e 979 civilë të dëbuar.
Aktakuza thotë se të akuzuarit nuk ka ndërmarrë masat e nevojshme dhe të arsyeshme që ishin në kompetencë dhe përgjegjësi të tyre, për të parandaluar kryerjen e këtyre veprimeve, për t’i penguar autorët apo për t’i ndëshkuar ose për t’i raportuar si akte të kundërligjshme.
Sipas PSRK-së, këto veprime janë të sanksionuara sipas zakoneve të luftës dhe se të akuzuarit kanë shkelur Nenin 3 të përbashkët të katër Konventave të Gjenevës, nenet 50, 51, 86, 87 të Protokollit I dhe nenet 13, 14, 17 të Protokollit II. Andaj, për këto veprime 21 të lartpërmendurit ngarkohen me veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile” nga Neni 142 i Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë.

