Pas publikimit dhe shpërndarjes së disa videove intime në rrjetet sociale, kompozitori Adrian Hila ka bërë të ditur se do të paraqitet nesër në polici për të dhënë dëshminë e tij lidhur me rastin.
Hila aktualisht nuk ndodhet në Tiranë, ndaj ka deklaruar se do të bashkëpunojë me autoritetet sapo të rikthehet në kryeqytet.
Sipas raportimit të gazetares së Top Channel, Dorjana Bezat, kompozitori pretendon se është edhe vetë viktimë e kësaj ngjarjeje. Ai ka deklaruar se materialet janë publikuar pa dijeninë e tij dhe se, sipas tij, pajisjet apo llogaritë e tij mund të jenë hakeruar.
Ndërkohë, hetimet e Policisë së Tiranës janë shtrirë edhe te persona të tjerë që shfaqen në materialet e publikuara.
Siç raporton Top Channel, katër prej personazheve publike që janë identifikuar në videot e shpërndara janë kontaktuar gjithashtu nga Policia.
Dy prej tyre kanë shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar me autoritetet dhe për të dhënë informacionet e nevojshme për zbardhjen e rastit.
Ndërsa dy personat e tjerë, sipas raportimit, janë në gjendje të rënduar emocionale pas publikimit të materialeve dhe aktualisht nuk kanë qenë në gjendje të dëshmojnë.
Rasti po hetohet nga strukturat e Krimit Kibernetik, të cilat po punojnë për të përcaktuar burimin e materialeve, mënyrën se si janë siguruar ato dhe personat përgjegjës për publikimin dhe shpërndarjen e tyre.
Në këtë fazë, pretendimet për hakerim dhe mënyrën e marrjes së videove mbeten pjesë e hetimit, ndërsa pritet që dëshmia e Hilës dhe deklaratat e personave të tjerë të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të ngjarjes. /TCH/

