Shkup, 27 qershor – Nga një betejë me Ali Ahmetin te përplasja me Arben Fetain, pse Taravari nuk e mban fjalën për tërheqje nga politika edhe kur i ka rastisur të humbë shumë herë? Taravari po i sfidon të tjerët me sfida që vetë nuk ka arrit t’i tejkalojë.
Nga vështirësitë në terren për t’i siguruar nënshkrimet për kandidimin e Taravarit për president, te debati dobët me kundër kandidatin e tij e deri te humbja spektakulare në zgjedhjet presidenciale, ky është Arben Taravari, që edhe kur humbë nuk skuqet, stafetën e humbjeve nuk e lëshon por që deklarohet si fitues, mbase edhe mund të jetë fitues në mesin e humbesve, shkruan Zhurnal.
E sfidoj Ali Ahmetin, humbi në Gostivar, tani sfidon Fetain e Aliu-n !
Arben Taravari është ndër figurat më labile në qëndrime në politikën shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Me gjuhë të drejtëpërdrejtë, ai shpesh ka guxuar të sfidojë figurat më të forta të skenës politike. Në të kaluarën ishte Ali Ahmeti në fokus të sfidave të Taravarit. Sot, janë Arben Fetai dhe Azir Aliu.
Nga Gostivari, ai ka shkuar deri aty sa të premtojë largimin përfundimtar nga politika, duke thënë: “Nëse këta marrin më shumë se 1.000 vota, unë largohem nga politika!”
Një deklaratë e fortë, që bart dramatikë, por edhe përgjegjësi nëse ishte thënë nga ndonjë politikan tjetër. Por, meqë ka dalë nga goja e Taravarit nuk merret as me përgjegjësi e as me seriozitet.
Taravari i humbi zgjedhjet presidenciale në Gostivar, ai nuk u tërhoq nga politika –
Në zgjedhjet presidenciale të 8 majit 2024, Arben Taravari humbi në qytetin e tij që e konsideron si bastion, Gostivar, me afro 370 vota diferencë. Por, përkundër fjalëve të mëhershme, ai nuk u tërhoq nga politika. Përkundrazi, doli para kamerave dhe deklaroi: “Në Gostivar kemi humbur, por ndryshimi po vjen me VLEN-in në qeveri.”
Në fund, betimi për largim u relativizua dhe u zëvendësua nga narrativa e “ndryshimit historik”. Përdorimi i deklaratave të forta dhe kërcënimeve me largim nga politika është një taktikë që Taravari e ka përdorur vazhdimisht shpesh për të forcuar pozicionin e tij, për të krijuar presion publik dhe për të ndërtuar perceptimin e një lidershipi të pakompromis.
Por pyetja që lind natyrshëm është se a mund të merret seriozisht një politikan sikurse Taravari që e quan veten lider që premtimet i kthen në fjalë që i bartë edhe era e verës e lëre më e vjeshtës.
Arben Fetai nga “kuadër i jashtëzakonshëm” në “armiku i brendshëm” –
E veçanta e zhvillimeve të fundit është përplasja e fortë me Arben Fetain dikur bashkëpunëtor i afërt, i cilësuar nga vetë Taravari si një prej kuadrove më të mira që ka pasur Aleanca për Shqiptarët.
Jo më larg se viti 2023, Taravari e quante Fetain “intelektual të përgatitur, të pakorruptuar dhe përfaqësues të denjë të rinisë shqiptare”. Ai ishte pjesë e qeverisë me mbështetjen e Taravarit dhe konsiderohej një nga shtyllat teknike dhe morale të ASH-së.
Çfarë ndryshoi kaq shpejt?
Sot, Arben Fetai është përjashtuar nga partia, quhet “vegël e tjetërkujt”, dhe përballon akuza për “shkelje të vijës partiake”, ndonëse ai vetë ka refuzuar të largohet nga parimet themelore të ASH-së.
Në letrën e tij publike drejtuar Taravarit, ai shkroi: “Adash, më fal që nuk e shita Aleancën për një rrogë 1.890 euro. Të lutem, ti mos e shit për një karrige.”
Kjo është më shumë se një përplasje personale është pasqyrë e krizës së liderit që nuk pranon diversitetin e mendimit dhe preferon lojalitetin ndaj individëve të caktuar. Për ta kuptuar Taravarin, duhet parë më shumë se fjalët që thotë, ai dinë të bëjë spektakël, por politika nuk është vetëm kaq, mbi të gjitha është përgjegjësi. Dhe, kur premtimet nuk përmbushen, kur besimi i dhënë zhgënjehet, atëherë çdo betejë, sado dramatike, kthehet në dështim.
Në fund të ditës, nuk është fjala e thënë, por fjala e mbajtur që ndërton një lider. E fatkeqësisht Taravari ka dështuar në këtë segment pasi fjalë ka dhënë shumë me bollëk dhe për mosmbajtjen e tyre nuk mban fare përgjegjësi. Prandaj, kur shihet dhe analizohet trajektorja e veprimit të Taravarit lirshëm konstatojmë se ky i fundit ka rënë prej provimit të liderit, e fatkeqësisht nuk ka afat të dytë. /Zhurnal.mk