Shkup, 19 nëntor – Sa më shumë afrohet dimri aq më shumë rrezikohet shëndeti i qytetarëve nga virus dhe bakterje të ndryshme. Pakujdesia e qytetit të Shkupit po e rrit dhe shton këtë rrezik edhe më shumë përshkak se nuk po ndërmerren kurrfarë masa për zbutjen e ndotjes së ajrit. Kjo pasi kryetarja e qyteti të Shkupit, Danella Arsovska, ka prioritete tjera. Ajo pasi dështoi në zgjedhjet parlamentare edhe më shumë ka anashkaluar punët që janë në kompetencat e saja, shkruan Zhurnal.
Qytetarit e Shkupit edhe këtë mëngjes e filluan të zhytur në ajrin e ndotur –
Shkupi sot në mëngjes është në vendin e tetë për nga ndotja e ajrit të ambientit në botë, me indeks të ndotjes 162, sipas të dhënave të fundit të platformës IQAir.
Si ndotës kryesor renditen grimcat PM 2.5 me përqendrim 60.2 mikrogramë për metër kub, ndërsa grimcat PM 10 me përqendrim 73.2 mikrogram për metër kub.
Përqendrimi i PM 2.5 në kryeqytet është 12 herë më i lartë se vlera vjetore e udhëzimit të cilësisë së ajrit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Qyteti më i ndotur në botë për momentin është Delhi në Indi, pas tij në listë është Lahore në Pakistan, dhe në vend të tretë është kryeqyteti i Egjiptit – Kajro, nga qytetet ballkanike më afër Shkupit është Sarajeva, e cila është dy. vende më të ulëta në listën e “IQAir”.
Në Maqedoninë e Veriut në vit vdesin mbi 3.800 persona për shkak të ajrit të ndotur –
Në Maqedoninë e Veriut në vit ka 3.828 vdekje për shkak të ndotjes së ajrit, që është 17.7 përqind e vdekshmërisë së përgjithshme në vend, sipas raportit të Mirjana Dimovska, udhëheqëse e departamentit për ujë të sigurt, kanalizimeve mjedisore dhe ekotoksikologjisë shëndetësore pranë Institutit për Shëndet Publik (ISHP).
Sipas gjetjeve të raportit, vlerësohet se nivelit aktual të ndotjes së ajrit i atribuohen 195 vdekje për shkak të sëmundjes ishemike të zemrës (IHD), që përbën 18.1 për qind të totalit të vdekshmërisë nga IHD në Maqedoni.
“Ndotja e ajrit konsiderohet si kërcënimi më i madh mjedisor në botë për shëndetin e njeriut, me shtatë milionë vdekje në mbarë botën çdo vit. Ndotja e ajrit shkakton dhe përkeqëson një sërë sëmundjesh, duke filluar nga astma te kanceri, sëmundjet e mushkërive dhe sëmundjet e zemrës. Ndotja e ajrit të ambientit dhe grimcat, një nga komponentët kryesorë të ajrit të ndotur, janë klasifikuar si kancerogjene për njerëzit nga Agjencia Ndërkombëtare për Kërkime për Kancerin”, thotë doktoresha Dimovska.
Çfarë do të thotë kjo për shëndetin e njerëzve?
Disa individë mund të përjetojnë efekte shëndetësore, ndërsa individë të tjerë që bëjnë pjesë tek grupet e cenueshme mund të përjetojnë efekte shëndetësore më serioze.
Për fëmijët nga 0-5 vjet, personat e moshuar, personat me sëmundje kronike, shtatzënat, të sëmurët nga astma dhe me SMOK personat që punojnë në mjedise të hapura, personat me diabet, por edhe duhanpirësit) rreziku nga shfaqja e dëmtimeve të rënda në zemër rritet për 3-4 herë. Ata me sëmundje respiratore ekzistuese janë më të rrezikuar. Edhe pse të rinjtë dhe fëmijët mbi 5 vjeç nuk bëjnë pjesë në grupet e popullatës me rrezik të lartë, kjo nuk do të thotë se shëndeti i tyre nuk mund të ndikohet nga ekspozimi afatshkurtër ndaj përqendrimeve të larta të ndotësve.
Për shkak të një numri faktorësh socio-ekonomikë, ndotja e ajrit po rritet nga viti në vit, situata po përkeqësohet dhe bëhet alarmante. Analiza të caktuara dhe modelimi i shkarkimeve të substancave ndotëse për ngrohjen e familjeve në luginën e Shkupit tregojnë se ndotja do të rritet me 30% deri në vitin 2025 përveç nëse nuk marrin masa të menjëhershme sistematike për të reduktuar emetimet. Këto shifra do të jenë edhe më të larta nëse emetimet do të shtohen nga sektorë të tjerë, siç është transporti, pjesa e ndotjes të të cilit po rritet më së shpejti çdo vit. /Zhurnal.mk