Shkup, 11 korrik – Në Maqedoninë e Veriut po afrohen zgjedhjet lokale por lufta politike mes kampeve të ndryshme po bëhet çdo ditë e më e fuqishme. Përderisa në kampin politik shqiptar, gara politike është më e përafërt dhe akuzat dhe kundërakuzat sillen kryesisht në aspektin kombëtar, në kampin politik maqedonas, partia kryesore në pushtet thuajse ka dominancë të plotë. Kjo e bën që partia opozitare, LSDM të jetë shumë e dobët pa pasur mundësinë që të jetë një partner i denjë për opozitarizëm, shkruan “Zhurnal.mk”.
Është shumë e qartë se LSDM fatkeqësisht me zgjedhjet e fundit dhe me përçarjet e njëpasnjëshme e ka humbur “rrugën në oborrin” e saj. Kjo parti, së fundi ka pësuar përçarje edhe në qytetin e Strumicës, e cila konsiderohej bastion kryesor i kësaj partie, dhe duket se përfundimisht nuk po arrin të konsolidojë vetveten.
Kësaj përçarje po i fryn edhe më shumë VMRO DPMNE-ja, e cila nga zgjedhjet e fundit ka fituar bindshëm dhe me politikën e saj të fundit po arrin që të rrit edhe më shumë rejtingun e saj.
Akuza dhe kundër akuza të njëpasnjëshme janë lëshuar nga dy kampet politike, por te popullata çështja e gjuhës dhe identitetit maqedonas që është prekur së fundmi nga Bullgaria ka bërë që më së shumti t’i besohet VMRO DPMNE-së, e cila iu është përgjigjur me kundërakuza Bullgarisë. Në këtë skenë politike dhe në shumë çështje tjera, LSDM nuk po arrin të konsolidohet dhe të bind se ka të drejtë me politikën e saj.
Në skenë si forcë e tretë politike po konsolidohet parta “Levica, e cila mban qëndrim edhe më të ashpër në politikën me shtetet fqinje dhe me termat nacionalistë. Kjo parti hapur ka thënë se është kundër gjuhës shqipe, kundër Marrëveshjes së Ohrit, kundër Marrëveshjes me Greqinë dhe kundër Marrëveshjes për finjësi të mirë me Bullgarinë. Edhe më tragjikja është se kjo parti me deklaratat e saj është shprehur kundër integrimit në BE, dhe retorika e saj nacionaliste e ka bërë që rejtingu i saj të rritet, sidomos te qytetarët që janë euro-skpetik dhe që e shohin se Evropa nuk po i ndihmon mjaftueshëm Maqedonisë së Veriut sidomos në çështjen me identitetin.
Prandaj në përgjithësi, nëse analizohen këto sulme të njëra tjetrës midis LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së, del në pah se edhe për partinë e Mickoskit nuk është në interes të saj që të shuajë LSDM-në, sepse në këtë formë po forcohet partia “E majta” (Levica), e cila po përdor retorikë edhe më të fuqishme nacionaliste dhe për qëllim ka që ta dëmtojë partinë e Mickoskit, shkruan “Zhurnal.mk”.
Në politikë është e qartë teoria se “armiku i armikut tim është miku im”, prandaj ndonjëherë nuk duhet të bëhemi armiq me të gjithë, por duhet të shihet edhe kjo pjesë e politikës, se nëse dëmtojmë një parti opozitare shumë thellë, atëherë do të ngrihet një “armik” tjetër i cili do të marrë elektoratin tënd. Në këtë mënyrë, VMRO DPMNE nëse e shkatërron LSDM-në, do t’i ngritet “Levica” e cila do të ketë gjuhë edhe më të ashpër dhe do të rrit nacionalizmin deri në skajshmëri. Kjo do të thotë se përplasja e vazhdueshme do të rrit tensionet ndëretnike, do të shkaktojë frymë negative për në rrugën e eurointegrimeve dhe do të dëmtojë imazhin si një shtet pro-perëndimor.
Andaj, një balansim i politikave mes oponentëve politik maqedonas është i domosdoshëm që mos të lejojnë të rriten rrymat ekstreme të majta, të cilat janë shumë afër politikave destruktive dhe shumë të afërta me politikat e Rusisë, Kinës dhe vendeve kundër perëndimit, shkruan “Zhurnal.mk”.