Shkup, 28 gusht – Në një kohë kur Maqedonia e Veriut përballet me sfida të mëdha në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian dhe në ruajtjen e një kohezioni ndëretnik delikat, politikanët shqiptarë kanë detyrën historike të jenë të përgjegjshëm, të sinqertë dhe të qëndrueshëm në veprimet e tyre politike. Për fat të keq, rasti i Arben Taravarit dhe retorika e fundit e Aleancës për Shqiptarët (ASH) vetëm sa e thellojnë zhgënjimin ndaj asaj pjese të elitës politike që ka vendosur të përdorë patriotizmin si valixhe për të mbuluar dështimet dhe kontradiktat e veta, shkruan Zhurnal.mk.
Në reagimin e fundit të ASH-së, Taravari del me një ton të ashpër kundër Hristijan Mickoskit dhe VMRO-DPMNE-së, duke i akuzuar për sabotim të rrugës evropiane, lidhje me Moskën, Budapestin dhe Beogradin, si dhe për përpjekje për të zhbërë Marrëveshjen e Ohrit. Në sipërfaqe, deklarata duket si një qëndrim i vendosur pro-perëndimor dhe mbrojtës i interesave të shqiptarëve. Por, mjafton një kujtesë e shkurtër e zhvillimeve politike të muajve të fundit për të zbuluar hipokrizinë që qëndron pas kësaj retorike.
Është pikërisht Arben Taravari ai që, pas zgjedhjeve parlamentare, zgjodhi të ulej në tryezë me Mickoskin dhe të negocionte krijimin e qeverisë së re. Jo vetëm kaq – ai ishte ndër zërat që e promovoi këtë koalicion si “shans për ndryshim” dhe shprehu entuziazëm për një bashkëqeverisje me një forcë që sot e quan antiperëndimore. Për më tepër, gjatë gjithë kohës së qëndrimit të tij në qeveri, Taravari nuk artikuloi asnjë shqetësim serioz për drejtimin që po merrte qeveria, nuk kërkoi garanci për integrimin evropian, dhe as për të drejtat e shqiptarëve. Përkundrazi, retorika e tij e asaj kohe ishte e mbushur me lavdërime për Mickoskin dhe sulme ndaj partnerëve të koalicionit shqiptar – sidomos ndaj VLEN-it.
Dhe sot, sapo humbi pozicionin në pushtet, Arben Taravari papritmas “zbulon” që VMRO është parti që kërcënon rrugën drejt BE-së. Pyetja që lind natyrshëm është: ku ishte ky vetëdijësim politik kur negociohej marrëveshja për formimin e qeverisë? Pse atëherë nuk vendosi si kusht të panegociueshëm ndryshimet kushtetuese dhe garancitë për rrugën euroatlantike? Apo atëherë, pushteti ishte më i rëndësishëm se parimet?
Ky lloj patriotizmi që shfaqet vetëm kur humbet postin nuk është as parimor, as i besueshëm. Është thjesht një kalkulim i dështuar për të shpëtuar imazhin politik dhe për të ringjallur një kredibilitet që tashmë është konsumuar. Taravari tani po mundohet të paraqitet si opozitari i vendosur ndaj VMRO-së, por e vërteta është se ai ishte pjesë e asaj marrëveshjeje politike që legjitimoi ardhjen e tyre në pushtet. Ai ndihmoi Mickoskin ta ndërtojë qeverinë dhe, me heshtjen e tij, u bë bashkëpërgjegjës për mungesën e garancive drejt BE-së.
Edhe në aspektin e brendshëm shqiptar, Taravari është larg të qenit faktor unifikues. Dalja e tij nga koalicioni VLEN dhe flirti i vazhdueshëm me BDI-në tregojnë një sjellje politike që i shërben interesit personal e afatshkurtër, jo interesit kombëtar. Ai nuk arrin të krijojë asnjë platformë të qëndrueshme politike për të bashkuar faktorin shqiptar, por vetëm ndan, ngatërron dhe përkeqëson situatën përmes manovrave të paqarta dhe ambiguitetit politik.
Prandaj, është hipokrizi e pastër që sot të flasësh për VMRO-në si problem për shqiptarët dhe për integrimin e vendit, kur një muaj më parë, po nga goja e Taravarit, dëgjonim fjalë të kundërta. E vërteta është se shqiptarët në Maqedoninë e Veriut nuk kanë më luksin të mashtrohen nga patriotë të momentit, që shfaqen vetëm kur nuk janë më në karrige. U lodhën nga fjalët. U ngopën me lojëra. Koha është për politikë serioze dhe të përgjegjshme, jo për deklarata të zbrazëta.
Në fund, për Arben Taravarin, një pyetje mbetet e pashmangshme: nëse VMRO është aq problematike sa thotë tani, pse e ndihmove të vijë në pushtet? Dhe, nëse e bëre me vetëdije, atëherë je po aq përgjegjës sa ata për çdo hap që çon vendin prapa.
Sepse, siç thotë populli: nuk mbrohen shqiptarët me fjalë, por me qëndrime të qarta dhe vepra konkrete. Dhe për fat të keq, Taravari nuk i ka as njërën, as tjetrën.//Zhurnal.mk