Shkup, 11 maj – Kryeministri Hristijan Mickoski gjatë ditës së sotme ka deklaruar se Taravari dhe disa persona rreth tij janë të vendosur që të kthehen në përqafimin e Ali Ahmetit dhe BDI-së. Kjo duket se është fundi i Taravarit në qeveri, prandaj gjatë javës së ardhshme pritet që të mbahet edhe një takim dhe të marrin fund të gjitha dilemat, shkruan Zhurnal.mk.
Mickoski i zhgënjyer nga Taravari
Kryeministri Mickoski ka thënë se mund t’i dëshiroj vetëm fat Taravrit duke u shprehur i zhgënjyer nga veprimet e tij si politikan. “Më së paku e kam menduar se do të kthehet në përqafimin e Ali Ahmetit dhe të tjerëve por ky është vendimi i tij. Jam i bindur se është vendim i pak njerëzve dhe jo i anëtarësisë së ASH-së”, tha Mickoski.
Ai ka thënë se beson se do të ketë një takim përfundimtar gjatë javës së ardhshme në të cilin do të ketë rezyme e asaj që është bërë në të kaluarën. Mickoski tha se do të ishte e ndershme nëse këtë e kishte bërë vet, por po bëhet gjithnjë më e sigurt se ai po kthehet në përqafimin e gjithë atyre që për dy dekada kanë kriminalizuar Maqedoninë.
“Është përzgjedhje e tyre, pres që këtë javë të pimë një kafe, un do ta ftoj dhe më pas pres, për shkak se Qeveria është e fortë stabile ka shumicë të fortë në Kuvend, të vazhdojë me procesin reformues, projekte për qytetarët, atë që qytetarët e presin nga ne”, deklaroi Mickoski.
Shumica e anëtarëve të ASH-së të irrituar me vendimin e Taravarit
Vendimi i Taravarit që të dalë nga koaliconi VLEN ka irrituar shumë anëtarë të partisë dhe simpatizantë të tij. Edhe pse bashkë me VLEN-in u angazhuan për të bërë ndryshimin dhe ia dolën që BDI-në ta lënë në opozitë, së fundmi veprimet e tij kanë shkaktuar huti dhe pasiguri në parti. Asgjë nuk është si më parë brenda ASH-së, të cilët aq shumë i besuan Taravarit dhe nuk e kanë kuptuar ende arsyen e vërtetë pse u morr ky vendim që të mbeten jashtë qeverisë. Më absurd është fakti se Tarvari u largua nga një shoqëri me të cilën dolën fitues për të shkuar në “prehrin e BDI-së” për të cilët ai kishte luftuar gjithmonë kundër tyre.
Afrimi me partinë e Ahmetit ende është e palogjikshme, dhe në këtë formë duket e vështirë se ai do të mbajë partinë e tij.
Është e qartë se simpatizuesit e ASH-së janë kryesisht oponentët e BDI-së, që janë kryesisht votuesit e PDSH-së kur ajo udhëhiqej nga Arbër Xhaferi. Megjithatë, pas ardhjes së Menduh Thaçit në krye të partisë dhe drejtimin e partisë së tij si biznes i tij privat, shumë intelektual dhe emra të njohur të kësaj partie u larguan nga PDSH.
Duke e parë mospërfilljen e tyre, atëbotë u morr një vendim që të fillojnë Lëvizje për Reforma në PDSH, e që kryetar i saj u zgjodh Zijadin Sela. Edhe pse fillimisht ata funksionuan si fraksion i PDSH-së, në momentin që e panë se nuk mund ta largojnë nga kreu i partisë, Menduh Thaçin, vendosën që të themelojnë parti të re, të cilën e quajtën Aleanca për Shqiptarët.
Kjo aleancë kishtë një hov të madh, duke i rikthyer në parti emrat të njohur të intelektualëve, në mesin e tyre edhe Arben Taravarin. Pas një veprimi të përbashkët politik, Sela u largua nga kreu i partisë, ndërsa Taravari u bë kryetar.
Pakënaqësitë se si po e drejtonte partinë e bënë Selën që të rikthehet në parti dhe në këtë mënyrë filloi përçarja e Aleancës në dy blloqe, ajo e Selës dhe ajo e Taravarit.
Megjithatë, shansi i madh që sërish kjo parti të bashkohet nuk ndodhi, sepse në zgjedhjet e fundit parlamentare, Sela u rreshtua me Frontin Evropian që udhëhiqej nga Ahmeti, kurse Taravari me koalicionin VLEN, duke kërkuar ndryshim dhe çuarjen e BDI-së në opozitë.
Por, edhe pse ishte pjesë e qeverisë, ai u largua nga koaliconi VLEN dhe me këtë mënyrë ai dëshpëroi dhe tradhtoi 107 mijë votues që i besuan ndryshimit në kuadër të koalicionit VLEN.
Kjo është zhgënjim dhe “tradhti” e votuesve por edhe koalicionit të VLEN-it, të cilët i mundësuan Taravarit të ketë pesë deputetë, të jetë më i privilegjuari dhe të jetë emri më i përfolur në qeveri.
Zhgënjimi i votuesve shqiptarë e sidomos të atyre që ishin pjesë e ASH-së dhe historikisht kundër BDI-së së Ahmetit, u shfaq dhe vazhdon të shfaqet nëpër rrjetet sociale, ku simpatizantët e tij, çdo ditë e kritikojnë Taravarin.
Kjo mënyrë e bërjes politikë herë me njërën parti e herë me partinë tjetër, pas pasur një “bosht kurrizor”, duket se do ta çojë Taravarin drejt shkatërrimit të partisë së tij. Në fund, populli nuk i do ata që s’kanë identitet politik, ata që s’kanë parime dhe ata që në mëngjes janë tjetër gjë, e në mbrëmje tjetër gjë. Andaj, Taravari me veprimet e tij po bën vetëvrasje politike dhe vështirë se do të mund të kthejë besimin tek qytetarët.//Zhurnal.mk