Kryeministri i Haitit, Ariel Henri ka dhaënë dorëheqjen ditën e djeshme pas episodeve të dhunës të regjistruara së fundmi nga bandat në vend. Dorëheqjen e Henri e njoftoi presidenti i Komunitetit të Shteteve të Karaibeve (CARICOM) dhe një zyrtar amerikan.
“Ne po regjistrojmë dorëheqjen e kryeministrit Ariel Henry,” tha Mohamed Irfan Ali, presidenti i Guajanës gjatë një konference për shtyp.
Ai shtoi se është i lumtur sepse është në gjendje të shpallë një marrëveshje të qeverisë për Haitin, e cila do t’i hapë rrugën një transferimi paqësor të pushtetit. Mbledhja e vendeve të Karaibeve u zhvillua dje në Xhamajka me iniciativën e CARICOM dhe me praninë e përfaqësuesve të OKB-së dhe shteteve të tjera, përfshirë Francën dhe SHBA-në, në kuadër të përpjekjeve për zgjidhjen e krizës në Haiti.
Kryeqyteti Port-au-Prince vazhdoi gjatë fundjavës t’i nënshtrohet dhunës së bandave, duke kërkuar dorëheqjen e Ariel Henrit. I bllokuar në territorin amerikan të Porto Rikos , pasi nuk u kthye në kryeqytetin e Haitit, Henri diskutoi nga distanca me drejtuesit e vendeve të tjera anëtare të CARICOM gjatë seancës urgjente. Ai konfirmoi dorëheqjen e tij gjatë një bisede telefonike me Sekretarin e Shtetit të SHBA, Anthony Blinken.
