Londër, 23 tetor – Zgjerimi i Bashkimit Evropian është plan i gjallë dhe Unioni punon në këtë strategji, që njëherësh i shërben edhe sigurisë së kontinentit evropian, ka shkruar në platformën X shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, pas përfundimit të Samitit të Procesit të Berlinit.
“Dritarja për zgjerimin e Bashkimit Evropian tani është e hapur gjerësisht. Në Londër u takuam me partnerët tanë të Ballkanit Perëndimor, për të thelluar bashkëpunimin tonë në siguri, energji dhe ekonomi. Zgjerimi i BE-së është investim gjeostrategjik për sigurinë e tërë Evropës. Së bashku, mund ta bëjmë këtë.”.
Mickoski: Jam optimist nga bisedat në Londër
Kryeministri Mickoski, pas takimeve në Londër, optimist për të ardhmen evropiane të vendit dhe rajonit. Rruga drejt BE-së domosdoshmërish të kalojë përmes mbrojtjes së dinjitetit, interesit dhe identitetit nacional.
“Mesazhi nga ana e tyre është se vendi i shtetit tonë është në kuadrin e Bashkimit Evropian, si edhe i tërë rajoni i Ballkanit Perëndimor. Diskutim të përafërt inspirues dhe konkret kishte edhe me kancelarin gjerman, Merc, i cili qartë tregoi se si e sheh rajonin. Po ashtu edhe kryeministra dhe presidentë të shteteve tjera të BE-së kanë porosi të qartë dhe mënyrë se si e shohin rajonin në të ardhmen. Unë mbetem optimist, por është me rëndësi që t’i realizojmë detyrat e shtëpisë. Kjo është më e rëndësishmja, reformat dhe këto do t’i bëjmë në periudhën që vjen. Pres edhe zhbllokimin e problemit që e kemi këtë moment, por të shohim.”, – theksoi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Plenkoviq: Bllokimi i zgjerimit, gabim historik
Kryeministri i Kroacisë duke qëndruar krah mbështetjes eurointegruese të vendit, me kritika për BE- në për stërzgjatjen e procesit të zgjerimit.
“Në e vlerësojmë si gabim historik ndaj RMV-së bllokimin e procesit aderues që zgjat mbi 20 vite. Kjo është e pabesueshme dhe nuk i bën nder procesit të zgjerimit.”, – u shpreh kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq.
Samiti i Londrës, pos eurointegrimit, në fokus ka pasur bashkëpunimin rajonal, sigurinë dhe migracionin.