Shkup, 31 gusht – Nevojitet qasje e një burrështetasi për zhbllokimin e integrimeve evropiane, më vjen keq që kryeministri njëherë kërkon konstruktivitet, ndërsa pastaj refuzon çdo propozim, tha sot kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe në përgjigjen e pyetjes së gazetarëve duke e komentuar refuzimin e propozimit për Rezolutë të përbashkët në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut për vijat e kuqe si mekanizëm për mbrojtje të interesave shtetërore dhe kombëtare nga ana e kryeministrit Mickoski.
“Më vjen shumë keq që kryeministri njëherë kërkon konstruktivitet, e herë të tjera refuzon çdo propozim. Nëse kjo është pjesë e folklorit parazgjedhor apo duke mos marrë parasysh fushatën që zhvilluan vitin e kaluar, nuk mund ta them tani, por fakti është se asgjë nuk po ndodh në fushën e integrimit evropian, dhe rajoni po ecën përpara. Shqipëria po ecën përpara, Mali i Zi po ecën përpara me një plan tashmë konkret që deri në vitin 2027 ose 2028 do t’i përfundojnë plotësisht negociatat. Praktikisht jemi në një fazë ku praktikisht i kemi braktisur negociatat. Dhe kjo është gjëja më e keqe që mund të na ndodhë”, tha Filipçe
Ai paralajmëroi se LSDM do të përgatisë dokument me qëndrime të qarta për integrimet evropiane.
“Do të përgatisim një dokument që do të jetë një version pune, të cilin do ta ofrojmë gjatë kësaj jave, në të cilin besoj se do të përfshihen të gjitha aspektet që janë të rëndësishme për vendin. Do t’i përmendim të gjitha deklaratat e mëparshme, do t’i përmendim detyrimet që janë ndërmarrë në kuadër të propozimit francez dhe do të japim një propozim se si ne si LSDM besojmë se duhet të vazhdojmë më tej, me vija të kuqe të qarta dhe precize, në mënyrë që të gjithë në një tavolinë më në fund të dinë për çfarë po flasim dhe si të ecim përpara”, theksoi Filipçe.
Ai paralajmëroi për pasojat nga bllokimi i procesit duke potencuar se të rinjtë gjithnjë e më shumë e shohin të ardhmen jashtë shtetit.
“Ajo që po ndodh tani është praktikisht vetëm humbje kohe, pastaj një rritje e madhe e zhgënjimit të qytetarëve sepse asgjë nuk po ndodh në atë fushë, të rinjtë gjithnjë e më shumë po shikojnë drejt së ardhmes jashtë, po humbasim mjete sepse as agjenda e reformave nuk po zbatohet, veçanërisht në fushën e gjyqësorit. Shteti ka humbur rreth 80 milionë euro sepse asnjë ligj që ishte i nevojshëm sipas planit të rritjes nuk u parashtrua nga Ministria e Drejtësisë”, tha Filipçe.
Ai shtoi se vlerëson se me të vërtetë nevojitet qasje e një burrështetasi që të zhbllokohet ai proces i integrimit evropian.
