Një nga momentet më të komentuara të Oscars 2025 ishte ribashkimi i Halle Berry dhe Adrien Brody, të cilët befasuan publikun me një puthje pasionante në tapetin e kuq – një rikthim i momentit legjendar të Oscars 2003.
Teksa Adrien Brody po jepte një intervistë për Mario Lopez, Halle Berry iu afrua papritur dhe, me një buzëqeshje lozonjare, tha: “Më fal, Georgina, por duhet ta bëj këtë”.

Pas puthjes, të dy shpërthyen në të qeshura dhe u përqafuan, ndërsa publiku reagoi me brohoritje dhe entuziazëm.

Në një intervistë për ‘Variety’, Berry shpjegoi emocionet e saj rreth ribashkimit me Brody-n: “E kam parë në festa, por kjo ishte hera e parë që nga ajo natë që e shoh në tapetin e kuq. Ishte një moment i veçantë për të dy ne”.
Puthja e tyre e parë në 2003 mbeti një nga skenat më të famshme të historisë së Oscars. Berry ka rrëfyer më parë se nuk e kishte pritur fare atë moment dhe se ishte totalisht e befasuar nga veprimi i Brody-t.

Mbrëmja e Oscars 2025 ishte edhe më e veçantë për Brody-n, pasi ai fitoi Oscar-in për Aktorin më të Mirë për rolin e tij në filmin “The Brutalist”.
Çmimi iu dorëzua nga fituesi i vitit të kaluar, Cillian Murphy, duke kurorëzuar një rikthim të madh për aktorin 50-vjeçar në skenën e madhe të Hollywood-it.
Ky moment i Oscars jo vetëm që riktheu kujtimet e një momenti historik, por gjithashtu tregoi se magjia e kinemasë dhe miqësitë e vjetra vazhdojnë të mbeten të paharrueshme në Hollywood.