Shkup, 29 janar – Kryeministri Hristian Mickoski deklaroi se këshilltari i tij i deritanishëm për politikë shëndetësore prof. dr. Igor Nikollov do të jetë ambasadori i ri i vendit në Francë.
“Prof.dr. Igor Nikollov, ai ishte këshilltari im në pjesën e politikës shëndetësore, marrëveshja e të cilit do të ndërpritet, sepse gjatë mbledhjes së djeshme ishte propozuar nga Qeveria të jetë ambasador i ri i shtetit tonë për Francën”, deklaroi Mickoski në pyetjen e gazetarëve për marrëveshjet e këshilltarëve të tij në kazermën “Goce Dellçev” në Komunën Aerodrom ku ishte simuluar sulm kibernetik.
Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunksi në konferencë për media në dhjetor të vitit të kaluar i paralajmëroi ndryshimet e Ligjit për Punë të Jashtme, i cili do të miratohet në mënyrë transparente dhe në procedurë të rregullt, qëllimi i të cilit është profesionalizimi i shërbimit diplomatik dhe përmirësimi i punës dhe funksionimit të sistemit gjithëpërfshirës shtetëror i përfshirë në proceset diplomatike, si dhe ndërmarrja e kompetencave në pjesën e tregtisë së jashtme dhe investimeve të huaja, detyrim i cili doli nga ndryshimet e Ligjit për organizim dhe punë të organeve të administratës shtetërore.
Ndryshimet ndër të tjera parashikojnë rritje të përqindjes së ambasadorëve të emëruar të cilët do të jenë nga radhët e diplomatëve profesionistë të Ministrisë. Në vend të përqindjes aktuale prej një të tretës, në të ardhmen parashikohet rritje prej të paktën gjysmës nga radhët e kuadrove profesionist. Gjithashtu, parashikohet rritja e mandatit të diplomatëve të dërguar në misionet diplomatike dhe konsullore nga tre në katër vjet aktual.
Ndryshimet e ligjit e precizojnë edhe zgjidhjen ligjore në pjesën e pjesëmarrjes së Kuvendit, sipas të cilave, në të ardhmen, pas miratimit të këtij ligji, do të hidhet poshtë mundësia që presidenti i shtetit ta nënshkruajë dekretin pa u respektuar procedura adekuate në Kuvend.
Në konferencën për media ministri Mucunski paralajmëroi se në kohën sa më të shpejtë të mundur do të plotësohen të gjitha pozicionet kyçe të ambasadorëve.
