Kumanovë, 21 janar – Hoxha i Kumanovës, Rexhail Aziri ka denoncuar në Redaksinë e Agjencisë së Lajmeve se sot nga inspektori i krimit në Sektorin e MPB-së në Kumanovë është thirrur në bisedë informative.
Sipas tij, denoncimi është bërë nga kreu i BFI-së, Shaqir Fetahu.
“Sot, unë, Hoxha Rexhail Aziri, u intervistova nga inspektori i krimit në Sektorin e MPB-së në Kumanovë, pas thirrjes nga policia për një bisedë informatike, pas denoncimit të bërë nga kreu i BFI-së, Shaqir Fetahu.
Fetahu më akuzon për veprime kriminale dhe falsifikime që, sipas tij, kanë për qëllim rrezikimin nga posti që ai mban në BFI.”
z. Aziri në denoncimin e tij për Zhurnal thekson se nëpërmjet denoncimeve dhe përdorimit të policisë, Shaqir Fetahu po tenton të më frikësojë dhe të dëmtojë imazhin tim, duke përhapur akuza të pabaza.
“Ai ka një mentalitet të shtetit policor, që ka kontribuar në ruajtjen e pozitat e tij të larta brenda BFI-së. Pavarësisht kërcënimeve, unë nuk kam asnjë arsye të frikësohem, pasi qëndrimet dhe veprimet e mia janë gjithmonë të hapura dhe publike. Të gjitha janë të dokumentuara dhe të njohura nga besimtarët dhe publiku.
Asnjë kërcënim nuk mund të më trembë dhe do të vazhdoj veprimtarinë time me besim dhe pa frikë. U bëj thirrje besimtarëve të vlerësojnë udhëheqësin e BFI-së, Shaqir Fetau, dhe të kuptojnë se ai nuk ka kredibilitetin për të udhëhequr këtë institucion. Apeloj që ai të largohet sa më shpejt nga pozita e tij dhe t’i hapë mundësinë një lideri të ri. Në fund, e bëj të qartë se do të vazhdoj veprimtarinë time ligjore, pa cenuar të drejtat e askujt, dhe se çdo përpjekje për të më frikësuar do të dështojë.”, deklaron për Zhurnal Rexhail Aziri.

