Shkup, 28 prill – “Universiteti „Nënë Tereza“ është universiteti ynë më i ri shtetëror. Qeveria është e përkushtuar të sigurojë burimet e nevojshme që ai të vazhdojë të zhvillohet edhe më tej. Me buxhet prej 34 milionë euro, i cili do të sigurohet në faza, duke filluar këtë vit dhe gjatë pesë viteve të ardhshme, do të mbështesë ndërtimin e kampusit modern i cili do të jetë qendër për përsosmëri akademike, shkencë dhe teknologji. Studentët dhe kuadri mësimdhënës do të marrin kushte bashkëkohore për punë dhe avancim”.
Këtë e theksoi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska në ceremoninë e sotme organizuar me rastin e dorëzimit të detyrës së rektorit të këtij institucioni të arsimit të lartë.
Duke i uruar mirëseardhje Bekim Fetaji në funksionin e tij të ri ministrja Janevska shprehu pritjen e saj se ai do të vazhdojë me vizionin për rritje edhe më të madhe të cilësisë së programeve studimore dhe me profesionializimin e tij, do të kontribuojë në zhvillimin e universitetit si institucion bashkëkohor arsimor dhe shkencor, i denjë për mbështetjen që merr.
Ministrja falënderoi rektorin e deritanishëm Izet Zeqiri, duke theksuar se si drejtues i universitetit dhe si profesor, ai dha kontribut të rëndësishëm në përgatitjen e brezave akademikë që tashmë janë të integruar në proceset shoqërore dhe në funksionimin e shtetit.