Shkup, 23 maj – Bashkimi Evropian mbetet me Maqedoninë e Veriut në rrugën drejt integrimit të plotë, porositi sot përfaqësuesja e lartë e BE-së për Punë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas në konferencën e pëbashkët për media me kryeministrin, Hristijan Mickoski.
Përfaqësuesja e lartë e BE-së theksoi se kanë biseduar për shumë tema, duke theksuar se vendi është përfituesi i parë në rajon i asaj që ofron Plani për rritje i Ballkanit Perëndimor, por edhe shteti i parë, që ka nënshkruar Partneritetin për siguri dhe mbrojtje me BE-në. Ajo theksoi se në takim, ndër të tjera, është biseduar për progresin e ekonomisë së Maqedonisë, duke theksuar se ky proces ka rëndësi të madhe edhe për vetë Unionin.
“Ky partneritet nënkupton bashkëpunim të përbashkët për Ukrainën edhe në fushën e luftës kundër terrorizmit sigurisht, ndërsa kjo tregon se integrimi gradual po funksionon. Por të dyja palët duan më shumë, dhe kjo është shumë e qartë. Maqedonia e Veriut i përket BE-së. Ju keni me të vërtetë histori të gjatë të harmonizimit me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së dhe kjo për ne është veçanërisht e rëndësishme në këto kohëra të trazuara, kur po shohim ndryshime serioze gjeopolitike në botë”, deklaroi Kallas.
Ajo foli edhe për përpjekjet që janë ndërmarrë nga ana e Qeverisë në lidhje me agjendën reformuese.
“Ju, më mirë se kushdo tjetër, e dini se rruga drejt anëtarësimit nuk është e lehtë, dhe mesazhi im sot është që të qëndroni në atë rrugë, të ndërmerrni hapat e nevojshëm për hapjen e negociatave të anëtarësimit. Kjo gjithashtu do të thotë se BE-ja do t’i japë Maqedonisë së Veriut edhe më shumë mbështetje, pa dallim nëse bëhet fjalë për sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit apo modernizimin e administratës publike”, theksoi Kallas.
Ajo shtoi se nga përvoja e dinë se progresi mund të jetë i shpejtë nëse ka vullnet politik, dhe si shembull të mirë përmendi Shqipërinë dhe Malin e Zi.
“Sigurisht, Maqedonia e Veriut përballet me zgjedhje të rëndësishme për qytetarët dhe të ardhmen e saj. Besojmë se integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE është receta më e mirë për paqe dhe siguri në të gjithë rajonin. Prandaj, le të ecim përpara së bashku dhe këtu dua t’ju siguroj se BE-ja mbetet përkrah jush”, porosit Kallas.
