Pekin, 15 maj Zhurnal.mk – Kina ka rinovuar thirrjen për një armëpushim të qëndrueshëm në konfliktin mes Iranit dhe SHBA-së, pasi presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se homologu i tij kinez Xi Jinping kishte ofruar ndihmë për gjetjen e një zgjidhjeje diplomatike.
Ministria e Jashtme kineze theksoi se nevojitet një armëpushim gjithëpërfshirës dhe i përhershëm për të rikthyer paqen dhe stabilitetin në rajonin e Gjirit.
Pekini kërkoi gjithashtu rihapjen sa më të shpejtë të rrugëve detare në Ngushticën e Hormuzit, e cila mbetet e bllokuar për shkak të konfliktit.
“Ky konflikt, i cili nuk duhej të kishte ndodhur kurrë, nuk ka arsye të vazhdojë. Gjetja e një zgjidhjeje sa më shpejt është në interes të SHBA-së, Iranit, por edhe të vendeve të rajonit dhe mbarë botës”, deklaroi ministria kineze.
Në një intervistë për Fox News, Trump tha se Xi Jinping mbështet një zgjidhje të negociuar dhe kishte ofruar ndihmën e tij.
“Ai dëshiron të arrihet një marrëveshje”, u shpreh Trump, duke shtuar se lideri kinez i kishte thënë se “ënse mund të jem i dobishëm në çfarëdo mënyre, do të donte të ndihmonte.”
Megjithatë, Ministria e Jashtme kineze nuk komentoi drejtpërdrejt deklaratat e presidentit Trump lidhur me ofertën e Xi-së.
Kina mbetet blerësi më i madh i naftës iraniane, pavarësisht sanksioneve amerikane ndaj Teheranit. Por furnizimet janë ndërprerë që nga nisja e konfliktit, për shkak të bllokadës në Ngushticën e Hormuzit.

