Kosova ra në vendin e 99-të në Inseksin Botëror të Lirisë së Shtypit.
Por avokati Arianit Koci, për këtë ka një shpjegim “interesant”.
Nëpërmjet një shkrimi në Facebook, Koci fokusin vë te mediat në Serbi, e që sipas tij Reporterët Pa Kufij u bazuan në burime të gabuara.
Postimi i plotë:
Serbia e lirisë së shtypit?!
“Šiptari su krivi za sve!”
“Shqiptarët janë fajtorë për gjithçka!” – Kurir
“Šiptarski poslovi: Kradu, lažu, ubijaju”
“Punë shqiptari: vjedhin, gënjejnë, vrasin” – Informer
Këto nuk janë komente të çmendura në Facebook, por tituj ballinash në media me tirazh të madh në Serbi.
Në këtë realitet të përditshëm, Reporterët pa Kufij thonë se Serbia ka më shumë liri të shtypit se Kosova.
Po flasim për një vend ku gazetarët vriten, kërcënohen, përndiqen.
Ku mediat nuk informojnë – por i shërbejnë qeverisë. Ku çdo kritikë ndaj presidentit konsiderohet tradhti.
Ndërsa pothuajse të gjitha mediat pro-qeveritare publikojnë çdo ditë lajme diskriminuese, të pasakta dhe haptazi fyese ndaj shqiptarëve dhe Kosovës.
Ja disa nga titujt e verifikuar që qarkullojnë në Serbi:
“Šiptari spremaju pakao za Srbe!”
“Shqiptarët po përgatisin ferrin për serbët!” – Informer
“Ubistvo Srba na Albanski način”
“Vrasje e serbëve në stil shqiptar” – Kurir
“Šiptari hoće rat!”
“Shqiptarët duan luftë!” – Alo!
“Pakleni plan Albanaca: Ubistvo Srba za Božić!”
“Plani djallëzor i shqiptarëve: vrasje e serbëve për Krishtlindje!” – Srpski Telegraf
Fjala “Šiptar” është term pezhorativ dhe racist. Gjykatat në Serbi e kanë ndaluar, por përdorimi i saj në media vazhdon si normë ditore.
Këta tituj nuk janë gabime. Janë strategji. Të qëllimshme. Për të demonizuar shqiptarët dhe për të prodhuar frikë.
Përballë kësaj, Reporterët pa Kufij zgjedhin të mos shohin.
Kjo organizatë e mat lirinë e mediave sipas pesë kritereve:
1. Siguria e gazetarëve
2. Pavarësia politike
3. Korniza ligjore për lirinë e shtypit
4. Presioni ekonomik
5. Konteksti sociokulturor
Dhe sipas të gjitha këtyre kritereve, Serbia nuk ka si të jetë më mirë se Kosova.
Në Serbi, mediat janë në duart e pushtetit.
Në Kosovë, pushteti kritikohet çdo ditë. Asnjë media nuk mbyllet. Asnjë gazetar nuk sulmohet për mendimin ndryshe.
Në Serbi, prokuroria hesht ndaj kërcënimeve.
Në Kosovë, policia dhe prokuroria reagojnë shpejt për mbrojtjen e gazetarëve.
Në Serbi, reklamat publike dhe fondet shkojnë vetëm për ata që lavdërojnë qeverinë.
Në Kosovë, kjo nuk ndodh.
Në Serbi, shqiptarët demonizohen çdo ditë si armik.
Në Kosovë, nuk ka fushata urrejtjeje ndaj pakicave në asnjë media serioze.
Po si ndodhi që Serbia u rendit më mirë?
Kjo nuk është gabim teknik. Është pjesë e një lufte speciale kundër Kosovës.
Një përpjekje e heshtur për të barazuar Kosovën me një regjim autoritar. Për ta zhvlerësuar çdo gjë që kemi ndërtuar me shumë mund.
Reporterët pa Kufij janë bërë, dashje pa dashje, pjesë e kësaj fushate.
Jo sepse janë të korruptuar. Por sepse mbështeten në burime të gabuara. Të njëanshme. Dhe ndonjëherë, të manipuluara.
Unë – si qytetar i lirë i një shteti të lirë – kam zero respekt për një organizatë që bën dallime të tilla fyese dhe të padrejta.
Sidomos pa e ditur se kush janë ata njerëz nga Kosova që japin vlerësime të rreme e që i shesin për analizë.