Drejtoria e Inspektorateve ka ndërmarrë aksion për largimin e objekteve të përkohshme të vendosura nga subjektet afariste në hapësira publike pa lejen e organeve kompetente, ka njoftuar Komuna e Prizrenit. Sipas komunikatës ky aksion është zhvilluar në rrugën “Adem Jashari”.
Në të njëjtën kohë organet komunale kanë bërë thirrje që lidhur me këtë çështje afaristët ti respektojnë dispozitat.
“Kërkohet nga të gjithë qytetarët, pronarë të subjekteve afariste, që të mos vendosin objekte të përkohshme si: tenda, konstruksione metalike dhe të ngjashme pa leje të organeve kompetente komunale, pasi, Drejtoria e Inspektorateve obligohet t’i largojë ato, përmes operatorit ekonomik të kontraktuar nga Komuna e Prizrenit, në barë të pronarëve të subjekteve afariste”, thuhet në njoftim.
Komuna e Prizren në vitet e shkuara synonte vënien e rendit në këtë aspekt me hartimin e një rregulloreje të re. Megjithatë ky akt nuk e pat kaluar filtrin e ligjshmërisë në nivelin qendror.
Zyrtarët komunalë, asokohe patën pohuar se lidhur me këtë çështje kanë pranuar ankesa e peticione të shumta nga qytetarët.
Lirimi i hapësirave publike është kërkuar shpesh edhe nga opozitarët në Kuvendin e Komunës.
