Shkup, 2 shtator, argument.mk/ – Komunat në Maqedoni gjatë vitit zgjedhor 2025 kanë shpërndarë mbi 4 milionë euro për subvencione dhe dotiacione të ndryshme për qytetarët, tregon hulumtimi i Qendrës për Komunikime Qytetare.
Sipas të dhënave, 63 komuna kanë shpenzuar gjithsej 4.056.482 euro për ndihmë financiare – gati një milion euro më shumë krahasuar me vitin 2024. Mbështetja është dhënë mbi 92 baza të ndryshme, ndërsa shumat individuale kanë arritur deri në 100.000 denarë për martesë dhe 200.000 denarë për fasadë. Në total, 58.290 qytetarë kanë përfituar nga ndihma komunale.
Më së shumti qytetarë janë përfshirë në masat e komunave Gazi Babë dhe Kisella Vodë, me mbi 10.000 përfitues secila. Ndërkohë, më së shumti mjete kanë ndarë komunat e Shkupit – Aerodromi dhe Qendra, me mbi gjysmë milioni euro secila.
Raporti evidenton edhe dallime të mëdha në lartësinë e ndihmës për të njëjtën kategori. Për shembull, për foshnjat e porsalindura komunat kanë paguar nga 3.000 deri në 30.000 denarë, ndërsa për nxënësit e klasës së parë nga 2.000 deri në 8.000 denarë.
Nga Qendra për Komunikime Qytetare theksojnë se çdo komunë zbaton rregulla, procedura dhe shuma të ndryshme për ndarjen e mjeteve, duke hapur dilema nëse komunat kanë kompetenca të përshtatshme për lloje të tilla të ndihmës financiare.

