Shkup, 7 mars – Pas grumbullimit të 10.000 nënshkrimeve të nevojshme, KSHZ-ja do t`i kontrollojë kandidatët në garën presidenciale nëse plotësojnë kushtet për kandidat presidencial. Do të konsultohen regjistrat e institucioneve kompetente.
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve po ndërmerr hapa për lehtësimin e procedurës formalo-juridike për kandidatët që do të garojnë në zgjedhjet presidenciale.
Gjithashtu KSHZ-ja ka miratuar udhëzuesin për votimin e personave me pengesa, që u mundëson këtyre personave qasje më të lehtë dhe pjesëmarrje në procesin e votimit.
“Me mekanizmin e ri, KSHZ-ja automatikisht do t`i grumbullojë të dhënat e nevojshme nga regjistrat adekuat të institucioneve kompetente për të konfirmuar nëse kandidatët përmbushin kushtet kushtetuese dhe ligjore për kandidaturat. Kjo do të thotë se kandidatët nuk duhet që vet të sigurojnë vërtetimet për shtetësinë dhe vendbanimet në RMV” – thonë nga KSHZ.
Por, Biljana Vankovska, kandidatja presidenciale e “Levicës” përmes profilit të saj në Facebook, pavarësisht se ka arritur të grumbullojë 10.000 nënshkrimet e nevojshme u ka bërë thirrje mbështetësve që të shkojnë në KSHZ, për të nënshkruar kandidaturën, sic thotë, për çdo rast.
“E dini se në çfarë shteti jetojmë. Nuk është betejë për matje forcash, por në garancat se nuk do të ndodh diçka e papritur që të më përjashtojnë nga gara zgjedhore. Shumica do ta donin këtë” – shkruan Vankovska.
Deri tani 10.000 nënshkrimet e nevojshme I kanë grumbulluar shtatë kandidatë, të tjerët kanë më pak nënshkrime, kurse mbrëmë, dy ditë para skadimit të afatit, në garë është futur edhe një kandidat tjetër – Dragan Nikolovski.