Shkup, 22 korrik – Kuvendi sot pasdite e përfundoi debatin e përgjithshëm rreth Projektligjit për institucionet e arsimit të mesëm të bashkësive fetare, me të cilin propozohet që nxënësit e Shkollës së Mesme Teologjike “Isa Beg” dhe të Shkollës Teologjike “Shën Klimenti Ohrit” të kenë të drejtë të japin provimin e maturës shtetërore dhe të kenë të drejtë të vazhdojnë arsimin e tyre në institucionet e arsimit të lartë në vend.
“Nxënësit e regjistruar në Shkollën e Mesme Teologjike “Isa Beg” – Shkup dhe në Shkollën Teologjike Ortodoske – Shkup kanë të drejtë të japin provimin e maturës shtetërore, në përputhje me Ligjin për Arsimin e Mesëm dhe aktet nënligjore të miratuara në bazë të tij, duke përfshirë Konceptin për Provimin e maturës shtetërore, provimin e maturës shkollore dhe provimin përfundimtar. Nxënësit që kalojnë me sukses provimin e maturës shtetërore fitojnë të drejtën të vazhdojnë arsimin e tyre në institucionet e arsimit të lartë në vend”, thuhet në elaborimin e Projektligjit.
Qëllimi i ligjit, siç u shpjegua në seancën parlamentare, është të sigurojë trajtim të barabartë të të gjithë nxënësve dhe të krijojë një bazë ligjore për integrimin e plotë të nxënësve nga shkollat e mesme fetare në sistemin arsimor të shtetit.
Zëvendësministri i Arsimit, Lulzim Aliu tha se me këtë ligj nuk vihet në pikëpyetje sekularizmi i shtetit dhe se shteti nuk do të ketë asnjë barrë financiare.
“Baratohen të gjithë nxënësit dhe shteti tregon se të gjithë janë njësoj. Financimi i këtyre shkollave nuk do të jetë në ngarkesë të shtetit. Sekularizmi i shtetit nuk cenohet sepse organizatorët e këtyre shkollave janë bashkësitë fetare”, tha Aliu.
Theksoi se shembuj të tillë ka në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe në SHBA.
Për opozitën, një zgjidhje e tillë ligjore është jokushtetuese dhe diskriminuese sepse do të zbatohet vetëm për shkollat fetare – Shkollën e Mesme Teologjike “Isa Beg” dhe Shkollën Teologjike Ortodokse.
Deputeti Rexhep Ismail nga “E Majta” kërkoi që ligji të tërhiqet dhe të hapet një debat më i gjerë për të.
Projektligji, i cili do të zhvillohet në procedurë të rregullt, po shqyrtohet nga Komisioni amë për Arsim.

