Shkup, 18 mars – Si rrufe nga qielli i pastër erdhi informacioni se kryetari i komunës së Karposhit, Stevçe Jakimovski dhe ish kryeprokurorja e prokurorisë speciale, Katica Janeva janë futur në listë të zezë nga Departamenti amerikan i shtetit. Jo që nuk kishte paralajmërimet të vazhdueshme për emra të rinj në këtë listë, por momenti kur ndodhi për shumëkë ishte i papritur edhe pse duket shumë i qëlluar, shkruan Zhurnal. Kryetari i Karposhit dhe Jakimovski, i habitur nga kjo “goditje” e papritur madje paralajmëroi padi.
Në njoftimin e DASH theksohet se personat e lartpërmendur kanë minuar sundimin e ligjit dhe kanë ndikuar në rënimin e besimit të në institucionet demokratike të vendit.
“Në cilësinë e saj zyrtare si ish-kryeprokurore speciale e Maqedonisë së Veriut, Janeva ishte e përfshirë në akte korruptive, duke përfshirë përdorimin e ndikimit të saj politik dhe pushtetit zyrtar për përfitime personale. Ka informacione të besueshme që Janeva ka kërkuar dhe ka pranuar ryshfet për të ndikuar në një prokurori nën kompetencën e saj”, njofton Departamenti amerikan.
Ngjajshëm akuzohet edhe kryetari i Karposhit. “Në cilësinë e tij zyrtare si kryetar i komunës së Karposhit, Maqedonia e Veriut, Jakimovski ishte përfshirë në akte korruptive, duke përfshirë përdorimin e pozitës së tij zyrtare për të ndërhyrë në zhvillimin urban dhe proceset e prokurimit për të përfituar për veten dhe bashkëpunëtorët e tij”, thuhet në njoftimin e DASH.
Futja e Janevës dhe Jakimovskit në “listën e zezë” sigurisht që ka futur frikë tek ata zyrtarë në vendin tonë që e kanë “mizën nën kësulë”, por jemi të bindur se edhe më tepër i ka frikësuar deklarata pasuese e ambasadores amerikane në Shkup, Angela Ageler, shkruan Zhurnal.
Në një deklaratë të publikuar në rrjetet sociale, Ambasadorja Ageler, ka theksuar qëndrimin e vendit të saj për të luftuar korrupsionin në të gjitha nivelet e qeverisjes dhe shoqërisë. Ambasadorja Ageler ka pohuar se SHBA nuk do të hezitojë të identifikojë dhe të ndëshkojë individët e përfshirë në veprimtari korruptive, pavarësisht përkatësisë së tyre politike, pozitës qeveritare, apo rolit në komunitet. Ageler ka specifikuar pak a shumë edhe “pikat e nxehta” ku mund të shënjestrojë DASH-i në “goditjet e radhës”, e para së gjithash ka përmendur partitë politike dhe sektorët qeveritarë.
“Emërimet e ish-kryeprokurores speciale Katica Janeva dhe kandidatit aktual për president dhe kryetarit të komunës Stevço Jakimovski nuk duhet të jenë befasi për askënd. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të emërojnë zyrtarë të çdo partie, sektori qeverisës ose komunitetit të përfshirë në korrupsion të konsiderueshëm. Populli i Maqedonisë së Veriut meriton drejtësi dhe përgjegjësi nga institucionet e tyre për të ndalur valën e sjelljeve kriminale dhe për të frenuar kancerin e korrupsionit”, tha Ambasadorja Angela Ageler.
Përzgjedhja e Janevës dhe Jakimovskit nuk duket të jetë e rastësishme. Në rastin e parë i dërgohet njëfarë porosie gjyqësorit se duhet të bëjnë më tepër që të dalin nga përqindja e ulët e besimit tek qytetarët ku janë zhytur. Në rastin e dytë duket se porosi u dërgohet politikanëve se është koha e fundit të vetdijësohen dhe të ndryhsojnë mentalitetin e tyre. Mbi të gjitha, porosia kryesore është se drejtësia edhe kur vonon nuk harron, respektivisht edhe “lista e zezë” ndoshta vonon, por nuk harron./Zhurnal