Paris, 27 gusht, argument.mk/ – Dy persona kanë humbur jetën dhe 10 të tjerë janë plagosur pasi një makinë u përplas me një grup njerëzish pranë një stacioni treni në Caen, në veri të Francës, raportoi BBC.
“Një makinë u përplas qëllimisht me këmbësorët përballë stacionit”, tha për gazetarët prefekti lokal David Claviere.
Ai bëri të ditur se shtatë nga të plagosurit ndodhen në gjendje kritike.
Pas ngjarjes, autoritetet nisën një operacion të gjerë emergjence, në rajonin e Normandisë ndërsa një person u arrestua.
Kryebashkiaku i Caen, Aristide Olivier tha se hetuesit po përpiqen të zbardhin arsyet që e shtynë drejtuesin e automjetit të kryente këtë veprim.
Dëshmitarët thanë se para incidentit kishte nisur një përleshje mes dy grupeve.
“Për momentin, nuk kemi të bëjmë me një motiv terrorist, por hetimi sapo ka nisur”, tha Bruno Coutanceau, një zyrtar i lartë i sigurisë në Caen.
Sipas tij, të gjitha viktimat duket se janë meshkuj të moshës 17 deri në 40 vjeç.
I dyshuari, një 26-vjeçar i lindur në Rusi, u arrestua më vonë rreth 20 kilometra larg, në qytetin portual Ouistreham.
Kryebashkiaku i Caen tha se automjeti i tij, ishte gjurmuar përmes kamerave të sigurisë së qytetit.
Sipas Claviere, i dyshuari nuk ishte i njohur për shërbimet e inteligjencës. Policia e kishte evidentuar vetëm për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.
Videot e publikuara në rrjetet sociale nga vendngjarja, tregonin njerëz të mbledhur pranë makinave të policisë dhe ambulancave, ndërsa zona ishte rrethuar nga autoritetet.
Një zëdhënës i administratës lokale të Calvados tha se disa nga të plagosurit po merrnin trajtim në urgjencën e një spitali aty pranë.
Policia ka nisur hetimet për ngjarjen, të cilat do të drejtohen nga hetuesit e Divizionit të Specializuar të Krimeve në Caen.

