Manchester United raportohet se ka përfshirë një klauzolë ‘sekrete’ në kontratën e Antony para se ai të bëhet pjesë e Real Betisit.
Pas një tjetër sezoni zhgënjyes në ‘Old Trafford’, braziliani është lidhur në mënyrë të vazhdueshme me një largim nga Anglia.
Siç ka raportuar mediumi spanjoll ABC Sevilla, United ka përfshirë një klauzolë në kontratën e Antony me Betisin.
“Real Betis do të paguajë një pjesë të pagës së tij (më pak se 50 për qind) dhe Manchester United ka vendosur një klauzolë në rast se 24-vjeçari nuk luan disa ndeshje”.
“Kjo është përfunduar në mënyrë që ky huazim të ketë përfitime si për Antony ashtu edhe United”, thuhej në raportim.
Antony iu bashkua Unitedit nga gjiganti holandez Ajax gjatë afatit kalimtar veror 2022 për shumën e 95 milionë eurove.
Sidoqoftë, reprezentuesi brazilian nuk ia doli t’i dëshmojë vlerat e tij dhe deri më tani ka realizuar vetëm 12 gola në 96 paraqitje në të gjitha garat për ‘Djajtë e Kuq’.
