Shkup, 10 janar – Zv.kryeministri i parë i qeverisë, Izet Mexhiti, në fjalimin e tij në Kuvend në përgjigje të interpelancës së parashtruar nga BDI, deklaroi se kjo parti është duke manifestuar një retorikë arrogante dhe konfliktuoze që dëshmon për krizën e saj të thellë të brendshme.
Ai shtoi, “Ky manifestim arrogance dhe retorika militante që është kthyer në përditshmëri të BDI-së flet vetëm për një gjë: kjo parti është e kapur. Kjo parti është e korruptuar. Kjo parti është e mbaruar!”
Mexhiti vlerësoi se këto qëndrime janë dëshmi e një partie që po lufton për të mbijetuar politikisht.
Mexhiti gjithashtu kritikoi ashpër lidershipin e kësaj partie për abuzime dhe klientelizëm.
Ai tha se udhëheqësit e BDI-së kanë tregtuar të drejtat e shqiptarëve për interesa personale dhe familjare, “Shqiptarët sot janë të zhgënjyer sepse me vite keni kërkuar votën e tyre për të blerë qendra tregtare si Soravia, parcela ndërtimi dhe për të hapur kazino, me pak fjalë, për t’u pasuruar për vete!”
Mexhiti e cilësoi këtë sjellje si një katastrofë politike që ka dëmtuar rëndë besimin e qytetarëve.
