Shkup, 22 korrik – Ministria e Financave pagoi principalin dhe interesin për vitin e dytë të fletobligacionit të parë të emetuar të qytetarëve. Në llogaritë e 1.448 qytetarëve, që në ankandin e shpallur në vitin 2023 regjistruan fletobligacione, u paguan 1.4 miliardë denarë (23.5 milionë euro), vlerë kjo që u regjistrua si fletobligacion i qytetarëve dhe interes për vitin e dytë në vlerë prej 72,4 milionë denarëve (1,2 milionë euro).
Fletobligacioni i parë i qytetarëve u emetua më 13 korrik të vitit 2023, me afat shlyerjeje prej dy vjetësh dhe me normë interesi prej pesë për qind. Interesi i poseduesve të fletobligacioneve u pagua në nivel vjetor, përkatësisht në muajin korrik të vitit 2024, kur u pagua shuma prej 72,4 milionë denarësh (1,2 milionë euro) dhe në muajin korrik të vitit 2025, po ashtu në vlerë prej 72,4 milionë denarësh (1,2 milionë euro).
Fletobligacioni i qytetarëve u vendos në treg si produkt i ri inovativ i destinuar për qytetarët dhe për promovimin e tregut të letrave shtetërore me vlerë. Ministria e Financave, në periudhën e ardhshme parasheh që të prezantojë instrumente të reja financiare, duke përfshirë edhe ofertën e instrumenteve të destinuara për qytetarët, me qëllim të rritjes së cilësisë së instrumenteve të ofruara, si dhe rritjes së bazës së investitorëve.
Ministria e Financave realizoi dy emetime fletobligacionesh të qytetarëve në vlerë të përgjithshme prej 41,1 milionë eurosh. Fletobligacioni i dytë i qytetarëve u emetua më 7 nëntor të vitit 2023, në vlerë prej 17,6 milionë eurosh, i cili maturon në muajin nëntor të vitit 2025.