Shkup, 23 janar – Ministria e Punëve të Jashtme greke i është përgjigjur deklaratave, siç thonë ata, provokuese të djeshme të kryeministrit Hristijan Mickoski. Në deklaratën e tyre, të publikuar nga mediat greke, thuhet se “kryeministri i Maqedonisë së Veriut, në deklaratat e tij në New Jersey, SHBA, zgjodhi të flasë për çështjen e “pazgjidhur” dhe “ekzistuese” maqedonase”.
“Kjo ngjarje paraqet një sfidë për Greqinë, duke u përpjekur të rikthejë në plan të parë një çështje të zgjidhur, siç dihet, përfundimisht dhe në mënyrë të pakthyeshme..
Greqia kujton se përparimi i mëtejshëm në marrëdhëniet e saj dypalëshe me Maqedoninë e Veriut dhe vazhdimi i papenguar i rrugës evropiane të fqinjit të saj kërkon respekt të plotë të Marrëveshjes së Prespës dhe, natyrisht, përmbajtjen nga deklaratat dhe pretendimet irredentiste ndaj vendeve fqinje”, thonë nga diplomacia zyrtare greke.
