Doha, 5 korrik Zhurnal.mk – Timço Mucunski, në kuadër të vizitës dyditore në Katar, zhvilloi një takim me kryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Katarit, Mohammed bin Abdulrahman bin Jassim Al Thani, ku u konfirmua angazhimi i përbashkët për avancimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe.
Gjatë takimit u vlerësua se marrëdhëniet mes dy shteteve janë në një nivel të lartë, ndërsa theks i veçantë iu kushtua intensifikimit të dialogut politik, bashkëpunimit ekonomik dhe investimeve si fusha kyçe për zhvillimin e partneritetit në të ardhmen.
Bashkëbiseduesit diskutuan gjithashtu për sfidat aktuale rajonale dhe globale, me fokus te zhvillimet në Lindjen e Mesme, siguria ndërkombëtare dhe mundësitë për bashkëpunim më aktiv në kuadër të organizatave shumëpalëshe.
Gjatë vizitës, Mucunski u takua edhe me ministrin e Shtetit për Punët e Jashtme të Katarit, Sultan bin Saad Al-Muraikhi.
Pas takimeve u nënshkruan tre dokumente: Marrëveshja për heqjen e vizave për mbajtësit e pasaportave diplomatike, zyrtare dhe speciale, Memorandumi për vendosjen e konsultimeve politike dhe Memorandumi për bashkëpunim në fushën e edukimit diplomatik.
Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, nënshkrimi i këtyre dokumenteve krijon një kornizë shtesë institucionale për forcimin e marrëdhënieve politike dhe thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Katarit në fushat me interes të përbashkët.

