Shkup, 22 korrik – Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregti të Jashtme, Timço Mucunski, në kuadër të vizitës së punës në Athinë, nesër do të ketë takim me shefin e diplomacisë së Greqisë, Jorgos Gerapteritis.
Në fokus të bisedave pritet të jenë aktivitetet e ardhshme për përforcimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimin mes dy vendeve, me theks në bashkëpunimin ekonomik dhe energjetik dhe lidhjen infrastrukturore, kumtoi MPJdheTJ.

Integrimi evropian i rajonit, si dhe ngjarjet aktuale gjeopolitike, po ashtu do të jenë pjesë e temave për të cilat do të bisedohet, të udhëhequra nga interesi i përbashkët për përforcimin e stabilitetit rajonal dhe prosperitetit të dy vendeve, si fqinj të drejtpërdrejtë dhe NATO aleatë.
