Punimet e Parlamentit në seancën maratonë të buxhetit të shtetit janë ndërprerë pa nisur ende. Shkak janë bërë protestat e deputetëve të opozitës në momentin që në foltore është ngjitur kryeministri Edi Rama.
Ata nuk kanë lejuar Ramën të flasë dhe për këtë ishte vetë kryeministri që kërkoi 5 minuta pushim, kërkesë që u miratua nga kryeparlamentarja Elisa Spiropali.
Kuvendi do të diskutojë në një seancë maratonë dy ditore, buxhetin e vitit 2025. Seanca është parashikuar të nisë sot në orën 10:00, ndërsa votimi do të bëhet të martën pasdite.
Vitin e ardhshëm, buxheti pritet që të jetë në shifrën e 8.2 miliardë lekëve, duke kapur kështu edhe shifrën më të lartë në historinë e vendit dhe që do të përdoret kryesisht për vijimin e reformave.
Ndryshe nga disa vite më parë, opozita nuk e ka bojkotuar në debatet në Komisione. Deputetet e opozitës, por dhe mazhorancës ngritën edhe shqetësime të tjera sa i përket buxhetit të viti 2025. Reformimi i pagave, luftimi i informalitetit, bujqësia por dhe siguria kibernetike duhet të marrin më shumë vëmendje vitin e ardhshëm, sipas tyre.
Një ditë më parë “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2 CNN, deputetja socialiste Blerina Gjylameti shpjegoi se përse u deshën 11 qeverisje të socialistëve dhe një vit elektoral që buxheti i shtetit të kapte këtë shifër.
Në orarin e votimit, opozita ka paralajmëruar një protestë, që ka për qëllim të ndalojë miratimin e buxhetit. /Telegrafi/