Ndotja e ajrit në disa qytete edhe për vitin 2023 u shfaq problematike me disa tregues që ishin mbi norma.
Raporti i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit i publikuar së fundmi tregon se në periudha të caktuara në zona të caktuara tregues të ndryshëm të dëmshëm shfaqen në tejkalim të parametrave të lejuar.
Së pari analizohet gjendja e grimcave të pluhurit (PM10 dhe PM 2.5). Sipas AKM bazuar në rezultatet e monitorimit kemi tejkalim të normës vjetore të PM10 (40 µg/m3 ), në stacionin e Tirana Higjena dhe në stacionin e Elbasanit.
“Në stacionin e Tirana Higjena kemi një tejkalim të normës vjetore të PM10 në masën 35.4%, ndërsa në stacionin e Elbasanit kemi një tejkalim të normës vjetore në masën 19.62%. Referuar të dhënave vjetore në stacionin e Korçës, Tirana AKM dhe Tirana MTM, vlerat e PM10 i përafrohen normës vjetore, ndërsa referuar të dhënave mujore kemi tejkalim të normës vjetore të PM10 në stacionin e Korçës vetëm në muajt Janar, Shkurt dhe Dhjetor 2023.
I njëjti vlerëson se duke iu referuar të dhënave ditore të PM10, krahasuar me normën ditore (50 µg/m³ ) kemi tejkalim të normës ditore të PM10 në stacionet e Durrësit, Elbasanit, Korçës, Tirana ASHR, Tirana AKM dhe Tirana MTM në periudhën Janar –Mars , Korrik dhe Dhjetor.
Sa i takon treguesit PM2.5 referuar të dhënave mujore, kemi tejkalim të normës vjetore të PM2.5 në stacionin e Korçës në muajt Janar, Shkurt dhe Dhjetor 2023.
Duke u ndalur në treguesin e dioksidit të azotit raporti vlerëson se kemi tejkalim të normës vjetore të NO2 në stacionin e Tirana ASHR në muajt Janar, Gusht, Shtator, Tetor, Nëntor. Në muajt e tjerë të vitit vlerat mesatare mujore të NO2 janë shumë afër normës por nuk e tejkalojnë atë. Kjo rritje vjen si rezultat i qarkullimit të automjeteve shpesh herë me trafik të rënduar. Dioksidi i azotit nga ana tjetër sipas matjeve nuk rezulton në tejkalim në asnjë prej stacioneve.
Sa i takon monoksidit të karbonit matja është realizuar në stacionet e Durrësit, Elbasanit, Fierit, Korçës, Shkodrës, Tirana ASHR dhe Tirana Sauk. Bazuar në vlerat mesatare vjetore nivelet më të larta të CO jane monitoruar nënstacionin e Elbasanit.
