Ditën e hënë, Partia Socialiste dhe ajo Demokrate votuan në Kuvend ndryshimet në Kodin Zgjedhor.
Presidenti i vendit, Bajram Begaj dha pëlqimin për hyrjen menjëherë në fuqi të ndryshimeve.
Ndryshimet në Kodin Zgjedhor kanë për qëllim të lehtësojnë votën e migrantëve.
Diaspora nuk do të paguajë asnjë lek për postën që do të kthejë votën në Shqipëri, fletët e votimit do të prodhohen 10 ditë më shpejt për tu dërguar jashtë dhe votat e diasporës do të numërohen nga komisionerë politikë me kërkesë të PD.
Zerina Bruçi, sekretare e PS për diasporën, në një lidhje të drejtpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve në Vizion Plus, me gazetarin Aleksandër Furxhi, tha se deri më tani janë 155 mijë aplikime të pranuara. Ndërsa sa i përket aplikimeve të kthyera, zonja Bruçi tha se problematika kryesore është gabimi në adresën e emigrantëve. Ajo tha se fleta e votimit duhet të mbërrijë në territorin shqiptar në orën 19:00 të 11 majit që të quhet e vlefshme.
Intervista e plotë:
-Kemi 199 mijë aplikime, 155 mijë kërkesa të pranuara, çfarë pritshmërie ka PS nga aplikimet dhe si janë për ju këto shifra?
Burçi: Është shumë e rëndësishme të përmendim ndryshimet e kodit zgjedhor që u miratuan këtë të hënë. E kemi fjalën për heqjen e kostos së fletës së votimit duke e bërë këtë proces më të aksesueshëm për të gjithë bashkëkombasit jashtë vendit dhe duke i vendosur në kushte të barabarta me votuesit shqiptarë brenda vendit. Gjithashtu ndryshimin e afateve të depozitimit të listës shumë-emërore të kandidatëve duke bërë kështu që KQZ të ndodhet në kushte shumë më të lehta për arritjen e afatit të dërgimit të materialeve zgjedhore dhe të mbledhjes së tyre, në lidhje me shifrat që ju përmendët, ajo që është konstatuar nga raportimet e KQZ është se një numër i madh i mospranimeve, ka qenë për shkak të problematikave në deklarimin e adresës së tyre.
-A jeni ju të kënaqur me këto shifra? Data 4 mars është afati i fundit i regjistrimit, në cilat shtete PS ka ecur më shumë me fushatën e nxitjes për tu regjistruar?
Bruçi: Këto shifra nuk janë suprizuese për ne. Besoj që me lehtësitë e miratuara tashmë, do të kemi një numër edhe më të lartë të bashkëkombase të regjistruar. Mendojmë se do të ketë 200-250 mijë kërkesa të miratuara. Italia dhe Greqia janë shtete me numrin më të lartë të bashkombësave tana, ndjekur nga Gjermania, Franca.
-Cilat janë datat kyç të procesit. Më 25 mars miratohen listat e kandidatëve. Kur është aftai i fundit që një emigrant mund të postojë dhe në cilën datë është e vlefshme fleta e votimit e dërguar në Shqipëri?
Bruçi: Data 12 mars është data kur publikohet lista e zgjedhësve jashtë vendit, të gjithë zgjedhësit e regjistruar për të votuar jashtë vendit hiqen nga lista e votuesve brenda vendit. Ata që regjistrohen jashtë nuk mund të paraqiten këtu për të votuar në datë 11 maj. Do të shohim sa shpejt do të përgatitë KQZ kuadrin logjistik për të dërguar materialet. Fleta e votimit do të jetë e vlefshme nëse mbërrrin në Shqipëri në orën 19:00 të datës 11 maj.

