Shkup, 23 korrik – Diplomacia e Maqedonisë së Veriut ka mbetur e vakët pasi rreth 30 Ambasada janë ende të zbrazura. Kjo sistuatë ka ndodhur për shkak të përfundimit të mandatit të një numri të madh të ambasadorëve, por edhe për shkak të kthimit të parakohshëm dhe shkarkimit të disa ambasadorëve që kishin shkuar nga qeveria e kaluar, shkruan “Zhurnal.mk”.
Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski më parë kishte njoftuar se Parlamenti ka miratuar ndryshimet në Ligjin për Punë të Jashtme që janë thelbësore për profesionalizimin e diplomacisë. Sipas këtij Ligji, ndryshimet parashikojnë rritje të përqindjes së ambasadorëve nga radhët e diplomatëve të karrierës, zgjatje të mandatit të diplomatëve të dërguar në katër vjet (në vend të tre viteve të mëparshme), si dhe rregullimin e procedurës për emërimin e ambasadorëve dhe rolin e Parlamentit në atë procedurë. Përveç kësaj, është futur mundësia e emërimit të një përfaqësuesi të posaçëm shtetëror jashtë vendit, nëse ka një interes të veçantë.
E zbërthyer ndryshe, sipas Ligjit të ri për punë të jashtme, gjysma e ambasadorëve të emëruar mund të jenë nga jashtë ministrisë, dhe gjysma tjetër duhet të jenë diplomatë të karrierës që i plotësojnë kushtet brenda Ministrisë së Jashtme.
Edhe pse kjo qeveri i mbushi një vit të funksionimit, deri më tani ka emëruar vetëm katër ambasadorë maqedonas, ndërsa plotësimi i vendeve të tjera që ende mbeten të lira duket se po shkon shumë vështirë. Aktualisht nuk është emëruar asnjë ambasador shqiptar.
Partitë e koalicionit qeverisës ende nuk kanë mundur të gjejnë emrat e përshtatshëm që t’i kalojnë në qeveri. Edhe pse kryeministri Mickoski ka kërkuar propozime nga partitë e koalicionit qeverisës, deri më tani nuk ka emra konkret që janë të përshtatshëm për ambasadorë.
Sidomos, partitë shqiptare ende nuk kanë dërguar emra konkret, të cilët duhet t’i kalojnë filtrat e nevojshëm për ambasadorë. Dalja e Taravarit nga koalicioni ka bërë të ristrukturohen pozitat të cilat duhet t’i mbajnë në të ardhmen shqiptarët.
Megjithatë, afrimi i zgjedhjeve lokale duket se do t’i komplikojë gjërat dhe ambasadat do të mbesin të zbrazëta. Nëse zgjedhjet lokale shpallen në fillim të muajit gusht, atëherë sipas ligjit aktual, çdo proces emërimi apo punësimi duhet të ndërpritet me qëllim që të mos ketë konflikt zgjedhor. Në këtë fazë, emërimi i ambasadorëve nga ana Ministrisë së Punëve të Jashtme duhet të bëhet para datës së shpalljes së zgjedhjeve, shkruan “Zhurnal.mk”.
Por, procedura e emërimit të ambasadorëve është më e komplikuar se sa duket, pasi ajo duhet të jetë në koordinim dhe në përputhje të plotë midis Ministrisë së Punëve të Jashtme, Qeverisë dhe Presidencës. Propozimi për ambasador përveç këtyre dakordësimeve politike, duhet të marrë edhe pëlqimin e organeve të sigurisë nga shteti amë, si dhe të marrë pëlqimin dhe aprovimin e shtetit ku emërohet ambasador.
Duke i pasur parasysh procedurat e deritanishme, nëse vendoset që një ambasador të emërohet tani, ai fillimisht duhet të marrë pëlqimin e shtetit pranues si dhe të kalojë procedura interne të përgatitjeve. E gjithë kjo procedurë mund të zgjasë nga 3-6 muaj dhe kjo nënkupton që vendet e ambasadorëve nëpër ambasada për gjatë kohë do të mbeten të zbrazëta.
Nëse vetë ministri Mucunski më parë kishte deklaruar se angazhohet që të ketë një diplomaci aktive dhe efektive, tani me mungesën e ambasadorëve dhe lënien e zbrazët të ambasadave do të krijohet edhe më shumë zbrazëtira që mund të kenë pasoja në përmbushjen e qëllimeve diplomatike të Maqedonisë së Veriut.
Gjithashtu ajo që është shumë e rëndësishme në procesin e emërimit të ambasadorëve, e sidomos këtu duhet të jenë të vetëdijshme partitë politike, se emrat e propozuar që do t’i dërgojnë për ambasadorë, duhet të jenë emra të dëshmuar në të kaluarën, me karrierë të pasur dhe persona me dinjitet. Njëherë e përgjithmonë duhet të lihen anash kalkulimet politike dhe interesat e ngushta personale, kur bëhet fjalë për pozitat e ambasadorëve. Nuk guxon të dërgohet ambasador një person me afera korruptive, me të kaluar të errët dhe pa përvojë.
Diplomacia është çështje e ndjeshme dhe prezantim i shtetit jashtë, prandaj diplomatët duhet të jenë persona me karrierë të pastër dhe me përvojë në këtë sferë, shkruan “Zhurnal.mk”.