Shkup, 3 mars – Rikthehet epoka kur punëtorët dalin në rrugë për të kërkuar paga më të dinjitetshme. Prandaj, mos ta rikthyer kohën më të kobshme kur në krye të vendit ishte një kukull si Dimitar Kovaçevski qeveria aktuale duhet të plotësojë kërkesat e të punësuarve, që nuk janë kërkesa luksi por domosdoshmëri për të mbijetuar. Edhe përkundur faktit që vendi ynë ka një Administratë Publike të stërngarkuar sërish është e nevojshme që këta të punësuar të marrin paga më të larta në mënyrë që të përballojnë çmimet e larta dhe rritjen e shportës minimale sindikale, që për një muaj për një familje katër anëtaresh ka arritur trefishin e pagës minimale, shkruan Zhurnal.
Lidhja e Sindikatave kërkon pagë minimale prej 500 eurosh –
Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë këmbëngul që paga minimale të rritet në 500 euro. Ata thonë se me dy paga e gjysmë minimale nuk mund të mbulojnë shportën minimale sindikale, përmes së cilës llogaritet kostoja e jetesës. Pagat duhet të rriten, standardi i qytetarëve po bie çdo ditë, thotë Ljupço Radovski, anëtar i LSM-së.
“Duhet të kuptojmë se nëse paga nuk rritet pak më shumë se ajo që tani thuhet harmonizim, nuk është rritje, por harmonizim i pagës minimale, do të jetë shumë pak për përmirësimin e standardit të jetesës së qytetarëve. Ne nuk e përpilojmë shportën minimale për të parë nëse dikush blen apo nuk blen dhe nëse dikush mund të blejë apo nuk mund të blejë. Por se çfarë i duhet një familjeje prej katër anëtarësh për të jetuar një jetë normale, modeste brenda një muaji për ta përballuar të gjitha këtë,” tha Ljupço Radovski – LSM.
Organizata e Punëdhënësve thotë se duhet vetëm harmonizim i pagës minimale sepse ajo tashmë është më e lartë në krahasim me vendet e tjera.
“Qëndrimi i organizatës së punëdhënësve është se në këtë moment, duke qenë se kemi pagë minimale mesatare shumë më të lartë se mesatarja e vendeve të tjera, duhet vetëm të bëhet harmonizim i pagës minimale me kriteret ligjore 50 për qind të pagës mesatare dhe 50 për qind të normës së inflacionit për të mbrojtur fuqinë blerëse të pagës minimale dhe sipas të dhënave të fundit, ajo duhet të jetë diku rreth 24,400 denarë,” deklaroi Angell Dimitrov – Organizata e Punëdhënësve.
Pagë minimale prej 500 eurosh kërkon edhe LSDM-ja opozitare, për çka thonë se çmimet e ushqimeve po rriten më shpejt se pagat e qytetarëve. Ata shtojnë se nëse paga minimale nuk rritet në 500 euro, kjo do të thotë përkeqësim i mëtejshëm i jetës së mijëra familjeve.
“Mundësia e fundit për të treguar minimum respekt ndaj qytetarëve është që Qeveria të ndërhyjë urgjentisht për pagat. LSDM kërkon dhe përkrah rritjes së pagës minimale në 500 euro sepse kjo do të nxisë rritjen e të gjitha pagave. Kjo strategji, të cilën LSDM-ja e zbatoi vazhdimisht gjatë kohës që ishte në pushtet, dha rezultate,” Kaja Shukova, nënkryetare e LSDM-së.
Qeveria mbetet në qëndrimin se do të pranojë çfarëdo që të pajtohen sindikalistët dhe punëdhënësit. Sipas ligjit, paga minimale duhet të rritet për 1.800 denarë, gjegjësisht do të jetë 24.400 denarë dhe do të përcaktohet në mes të marsit në këshillin e ardhshëm ekonomiko-social.
Numri i qytetarëve të varfër shkon në rritje –
Kostoja e jetesës po rritet me shpejtësi të madhe saqë qytetarët edhe po zihen në befasi. Jemi dëshmitarë se çmimet e shumë produkteve ushqimore janë rritur jashtëzakonisht shumë, edhe përkundër faktit që kishte disa masa për ngrirje të çmimeve, sërish gjendja e çmimeve mbetet shqetësim kryesor i qytetarëve. Si gjithmonë, më të prekurit do të jenë ata që deri tani kanë jetuar me të ardhura të ulëta, ose fare pa të ardhura që kanë qenë nën mëshirën e humanizmit.
Tashmë po bëhen llogaritë se për çfarë kemi para dhe për çfarë nuk kemi dhe po bëhen kompromise për cilësinë e ushqimit dhe strehimit. Pritet që një pjesë e qytetarëve të cilët në të kaluarën ishin në rrezik të varfërisë të bien nën pragun dhe po pritet të rritet numri i të varfërve. Fatkeqësisht, qytetarët që ende jetojnë nën atë vijë do të gjenden në një situatë edhe më të pafavorshme, pa kushte minimale për një jetë me dinjitet.
Ndryshe, me këtë dinamikë ekonomike numri i qytetarëve të varfër vetëm se do të rritet edhe më shumë, ndërkaq ata që veçmë janë të varfër do ta kenë edhe më të vështirë të përballen me shpenzimet e përditshme që tashmë janë veçse me çmime shumëfish më të larta.
Situatë jo e lehtë për tu përballuar për qytetarët e Maqedonisë së Veriut, pasi rritja e çmimeve u bë traditë e zakonshme madje edhe javore që çdo javë pothuajse kishte ndryshim çmimesh, nuk dihej se cilat masa dhe çfarë ndikimi kishin ato masa antikrizë të marra nga Qeveria, sepse në praktikë secili qytetarë është në krizë të thellë. Shpenzimet mujore me të hyrat janë në një diskrepancë shumë të madhe me çka qytetarët edhe po dëshpërohen dhe shpresë po kërkojnë jashtë vendit.
Shpresa e ka humbur rrugën në Maqedoninë e Veriut, madje është absurditet të dëgjohet prej ndokujt që shpreson që gjendja do të ndryshoj në aspekt pozitiv. Të rinjtë nuk shohin të ardhme, të punësuarit të pa kënaqur me pagat, të moshuarit me pensione që as për kontrolle mjekësore nuk janë të mjaftueshme. Pra, e gjithë kjo katrahurë shkakton krizë edhe më të thellë në Maqedoninë e Veriut, që do të futemi në “krizë qytetarësh”, ku vendi do të zbrazet dhe do të bëhet i pa banueshëm. /Zhurnal.mk

