Shkup, 19 mars – Edhe një personi i është caktuar paraburgim afatshkurtër prej 48 orëve lidhur me tragjedinë në Koçan me çka numri i përgjithshëm i personave të përfshirë me këtë masë u rrit në 17 persona. Për disa që është shqiptuar kjo masë, sot u skadojnë 48 orë.
Prokurori publik Lupço Kocevski deklaroi dje se përveç 16 personave, edhe një personi do t’i shqiptohet paraburgim 48 orësh.
Paralajmëroi hetim të shpejtë dhe efikas i cili do të kryhet në mënyrë më profesionale. Sipas tij, bëhet fjalë për lëndë shumë të vështirë, të komplikuar në të cilën ka shumë viktima.
“Unë premtova dhe do ta mbaj premtimin se hetimi do të jetë i shpejtë dhe efikas. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se do të nxitohet. Të gjitha dëshmitë duhet të mblidhen ligjërisht, dëshmitë duhet të kenë vlerë provuese, gjegjësisht të merren në mënyrë ligjore, që do të thotë se ekipi i akuzës po vepron me shumë kujdes”, deklaroi dje Kocevski për televizionin “Sitel”.
Në mesin e të arrestuarve janë ish-ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi dhe ish-drejtori i Inspektoratit Shtetëror të Tregut, Goran Trajkovski.
Masa e paraburgimit afatshkurtër propozohet në raste veçanërisht të ndërlikuara, kur është e nevojshme të mblidhen një vëllim më të madh të provave për të shqyrtuar të gjitha rrethanat dhe mundësisht për fillimin zyrtar të hetimit. Kjo masë, e parashikuar në nenin 170 të Kodit të Procedurës Penale, mund të shqiptohet më së shumti dy herë nga 48 orë, pa u lëshuar urdhër formal për zbatimin e procedurës hetimore.
Kjo i mundëson prokurorit publik ta mbajë personin për të cilin ekziston dyshim më gjatë se ndalimi bazë policor 24-orësh. Qëllimi i kësaj dispozite ligjore është që prokurori publik të ketë kohë të mjaftueshme, veçanërisht në rastet e vështira dhe komplekse, për të ndërmarrë të gjitha aktivitetet dhe për të përcaktuar faktet dhe rrethanat, si dhe karakteristikat dhe veprimet specifike të personit që do të shqyrtohet më tutje në procedurën hetimore.
Pas hapjes formale të hetimit, prokurori publik propozon masa të reja për sigurimin e të dyshuarit, gjegjësisht shfuqizohet paraburgimi afatshkurtër dhe më së shpeshti caktohet paraburgimi i rregullt.