Dr. Alaa Al-Najjar kurrë nuk e kishte imagjinuar se përshëndetja e saj me 10 fëmijët të premten do të ishte e fundit.
Ndërsa po kujdesej për fëmijë të plagosur që kishin shpëtuar për pak nga sulmet me raketa izraelite, trupat e djegur dhe të copëtuar të fëmijëve të saj po silleshin një nga një në morgun e Kompleksit Mjekësor “Nasser” në Khan Younis, në jug të Gazës disa prej tyre pa kokë.
Pediatrja, e cila kishte shpëtuar me dhjetëra fëmijë gjatë muajve të një lufte gjenocidale të udhëhequr nga Izraeli, qëndronte e pafuqishme përballë tragjedisë së fëmijëve të saj, pa mundur t’i shpëtonte apo t’i mblidhte mbetjet e tyre, pasi një raketë izraelite kishte goditur shtëpinë e tyre në zonën Qizan Al-Najjar, në lindje të Khan Younisit.
Raketa, e lëshuar nga Izraeli me teknologji të avancuar precize që është në gjendje të identifikojë të gjithë ata që ndodhen brenda një shtëpie, goditi pikërisht vendin ku po qëndronin 10 fëmijët dhe bashkëshorti i saj, Dr. Hamdi Al-Najjar.
Kjo mizori ndodhi vetëm tre ditë pasi Moshe Feiglin, udhëheqës i partisë ekstremiste izraelite “Zehut”, kërkoi publikisht që Tel Avivi të “eliminojë” fëmijët dhe foshnjat në Gaza. Ish-deputeti i Knesset-it nga partia Likud e kryeministrit Benjamin Netanyahu, deklaroi: “Çdo fëmijë, çdo foshnje në Gaza është armik.”
Kompleksi Mjekësor “Nasser” citoi në Facebook zëvendësministrin e Shëndetësisë në Gaza, Youssef Abu al-Rish, i cili tha se Dr. Alaa, e shkatërruar nga humbja e nëntë prej fëmijëve të saj, qëndronte jashtë sallës së operacionit duke pritur fatin e fëmijës së saj të vetëm të mbijetuar dhe të bashkëshortit.
Vrasje e qëllimshme
Dr. Suheir Al-Najjar, mbesa e Dr. Hamdi Al-Najjar, i tha agjencisë Anadolu se Izraeli e kishte shënjestruar qëllimisht shtëpinë të premten, duke e goditur fillimisht me një raketë të paplasur, e ndjekur disa minuta më vonë nga një tjetër që shpërtheu dhe rrafshoi tërësisht banesën pa lënë askënd brenda mundësisë për të shpëtuar.
Ajo tha se ushtria, përmes teknologjisë së saj, e dinte se brenda ndodheshin 10 fëmijë, më i madhi 12 vjeç, më i vogli vetëm 6 muajsh dhe një mjek që ofronte shërbime humanitare, por zgjodhi ta bombardojë gjithsesi.
Ajo shpjegoi me zë të mbushur me dhimbje se një fëmijë arriti të mbijetojë nga sulmi brutal dhe ndodhet në gjendje kritike në njësinë e kujdesit intensiv, së bashku me babain e tij.
Ajo konfirmoi se fëmijët arritën në spital në gjendje të tmerrshme të djegur, të copëtuar, disa pa kokë.
Dr. Suheir Al-Najjar theksoi se familja nuk mundi t’i përshëndeste fëmijët për herë të fundit apo t’i puthte lamtumirën, për shkak të gjendjes së trupave.
Ajo shtoi se ekipet e mbrojtjes civile arritën të nxjerrin shtatë trupa, ndërsa dy të tjerë mbeten ende nën rrënojat e shtëpisë.
Duke refuzuar thirrjet ndërkombëtare për armëpushim, ushtria izraelite ka vazhduar ofensivën brutale kundër Gazës që nga tetori i vitit 2023, duke vrarë mbi 53,900 palestinezë, shumica gra dhe fëmijë.
Në nëntor të vitit të kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhër-arreste për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli gjithashtu përballet me një çështje për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij kundër enklavës.

