Shkup, 9 janar – EMV lidhi marrëveshje në katër sy në vlerë prej 1.1 milionë euro për gërmimin e qymyrit dhe mbetjeve për nevojat e TEC Manastir për 6 muajt e ardhshëm me kompaninë nga Ohri “Toplina”, transmeton TV21.
Sipas njoftimit të Termocentralit Shtetëror, “Toplina” nga Podmolje, do të jetë zëvendësim i përkohshëm për “Markovski Company”, me të cilën një muaj më parë ishte ndërprerë kontrata në vlerë prej 46 milionë eurove. Përzgjedhja është bërë me pëlqim paraprak nga Byroja e Prokurimit Publik, përmes procedurës me negocim në raste ekstreme urgjente.
Ftesat u janë dërguar pesë kompanive që kanë marrë pjesë rregullisht në këtë prokurim në pesë vitet e fundit. Kompania “Toplina” paraprakisht ishte përmendur si një nga nënkontraktorët e “Markovski Company” me të cilën menaxhmenti i ri i EMV-së ka prishur kontratën, me arsyetimin se nuk i ka përmbushur obligimet e dakorduara.
“Të vetmen gjë që unë e di është se çmimi është 15% më i ulët, domethënë tani është 49 denarë për gigaxhul. Shpresoj se do të ketë tender dhe kjo është vetëm një kontratë e përkohshme, kështu që kjo nuk do të jetë praktikë në prokurimet e ardhshme, por kjo është vetëm për të kapërcyer këtë periudhë sepse siç e dini, kontrata me “Markovski Company” është ndërprerë”, tha Sanja Bozhinovska, ministre për Energjetikë.
