Prishtinë, 23 qershor Zhurnal.mk – Përçarja e nisur që nga dita e zgjedhjeve brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka kulmuar sot me kërkesa direkte për dorëheqjen e Lumir Abdixhikut nga pozita e Kryetarit të partisë, shkruan Reporteri.net.
Arsye është rezultati në zgjedhjet e 7 qershorit, ku kjo parti mbeti e treta me 16%.
Kërkesa për dorëheqje së pari ka ardhur nga Dega e LDK’së në Pejë, që udhëhiqet nga Gazmend Muhaxheri.
Në reagimin e kësaj dege thuhet se është kërkuar dorëheqja si akt moral dhe politik dhe se përgjegjësia për rezultatin duhet të bartet nga udhëheqja.
“Pas mbledhjes së Kryesisë dhe analizës së rezultateve të zgjedhjeve të qershorit, me shumicë votash, anëtarët e Kryesisë në Pejë kanë kërkuar reflektim të thellë politik dhe marrjen e përgjegjësisë nga lidershipi i partisë. Në këtë drejtim, është kërkuar dorëheqja si akt moral dhe politik, duke vlerësuar se përgjegjësia për rezultatin duhet të bartet nga udhëheqja. Kryesia konsideron se ky duhet të jetë një imperativ i qartë i kësaj shtëpie të demokracisë, në funksion të ruajtjes së besimit të anëtarësisë dhe forcimit të standardeve demokratike brenda partisë”, thuhet në reagim.
E njëjta kërkesë ka ardhur më pas nga Dega e LDK’së në Lipjan, në krye me Imri Ahmetin.
Në reagim thuhet se Kryesia e Degës kërkon dorëheqjen e Abdixhikut, si standard të përgjegjësisë politike dhe si akt reflektimi ndaj mesazhit që qytetarët kanë përcjellë përmes votës së tyre.
“Në këtë frymë, pas një diskutimi të gjatë dhe një analize të detajuar të secilës qendër votimi në Degën e Lipjanit, si dhe të gjendjes aktuale politike dhe organizative brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës, Kryesia e Degës kërkon dorëheqjen e Kryetarit të LDK-së, si standard të përgjegjësisë politike dhe si akt reflektimi ndaj mesazhit që qytetarët kanë përcjellë përmes votës së tyre”, thuhet në reagim.
Të dy këto reagime janë shpërndarë nga deputeti i zgjedhur, Arben Gashi, i cili ka pasur kërkesë të njëjtë qysh ditën e zgjedhjeve./Reporteri.net

