Shkup, 15 korrik – Ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Zllatko Perinski, me ftesë të ministrit të Administratës Publike dhe Zhvillimit Rajonal të Hungarisë, Tibor Navraçiç sot zhvilloi vizitë zyrtare në Budapest.
Qëllimi i takimit dypalësh, siç kumtojnë nga Ministria e Vetëqeverisjes Lokale, është thellimi i bashkëpunimit midis dy vendeve dhe krijimi i bazave të forta për transferimin e përvojave dhe njohurive në fushat e zhvillimit rajonal dhe vetëqeverisjes lokale, duke përfshirë edhe shkëmbimin e praktikave nga përdorimi i fondeve të Bashkimit Evropian.
Në takim u diskutua për gjendjen aktuale në fushat e resoreve, të cilat udhëhiqen nga dy ministritë, për arritjen e progresit gjatë vitit të kaluar, si dhe për proceset e reformave që po zbatohen për të përmirësuar efikasitetin dhe llogaridhënien në punë.
“Vitin e kaluar, ne kemi analizuar në thelb situatën në terren dhe nevojën e komunave për zhvillim afatgjatë. Filluam me mbështetje më të madhe për komunat ndonjëherë të ofruara nga Qeveria në partneritet me Hungarinë për financimin e projekteve kapitale infrastrukturore në të gjitha komunat”, theksoi Perinski, i cili shtoi se përmes politikave të planifikuara mirë, mbështetjes ekonomike lokale dhe investimeve të orientuara në infrastrukturë, mund të ndërtohet sistem më i qëndrueshëm.
Perinski potencoi rëndësinë e transferimit të njohurive dhe praktikave të suksesshme nga Hungaria, veçanërisht në fushën e mbështetjes efektive për komunat, reformimin e strukturës institucionale të Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale dhe digjitalizimin e shërbimeve lokale.
Në fokus të diskutimeve ishin edhe mundësitë që ofron programi i BE-së – URBACT, i cili mundëson bashkëpunimin dhe shkëmbimin e ideve inovative midis qyteteve evropiane.
“Bashkëpunimi me vende si Hungaria, e cila ka përvojë të pasur me fondet evropiane, mund të japë kontribut të rëndësishëm në krijimin e udhëzimeve tona strategjike për zhvillim të qëndrueshëm dhe të ekuilibruar”, theksoi Perinski.
Në kuadër të vizitës, si pjesë e agjendës zyrtare, është zhvilluar edhe vizitë protokollare në Parlamentin e Hungarisë.