Në përvjetorin e 25-të të masakrës së kryer në Podujevë nga njësiti serb “Skorpionët”, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bëri homazhe te varrezat e të vrarëve të familjeve Bogujevci, Duriqi dhe Llugaliu, ndërsa presidentja e vendit, Vjosa Osmani e kujtoi atë përmes një postimi në Facebook.
Osmani ka thënë se strategjia e regjimit gjenocidal të Serbisë kundrejt shqiptarëve pa dallim moshe ishte shfarosja dhe spastrimi etnik.
“25-vjet më parë, forcat kriminale vranë në mënyrë mizore 14 anëtarë të familjeve Bogujevci e Duriqi, në mesin e të cilëve 7-fëmijë të moshës 2 deri 15 vjeç dhe 7 gra.
Saranda, Fatosi, Jehona, Liria dhe Genc Bogujevci janë dëshmitarë të aktit makabër, ndaj këto dëshmi janë në funksion të kujtesës dhe të sjelljes se autorëve para drejtësisë.
Liria dhe paqja kanë kuptim vetëm kur drejtësia të vihet në vend! Qoftë i përhershëm kujtimi për martirët e familjeve Bogujevci dhe Duriqi”, shkruhet në postimin e presidencës.