Temperatura e tokës së ngrirë përgjithmonë, ose permafrostit malor në Evropë, është rritur për 1 gradë Celsius gjatë 10 viteve të fundit, sipas një studimi të ri shkencor të publikuar të martën.
“Ngrohja e permafrostit malor është e rëndësishme dhe e dukshme në të gjitha rajonet, thellësitë dhe periudhat kohore që kemi analizuar”, tha një nga autoret e studimit, Jeannette Nötzli, e cila punon në Institutin Zviceran për Kërkime mbi Borën dhe Ortet në Davos.
Permafrosti i referohet tokës dhe nëntokës që mbetet në temperatura nën zero gradë Celsius për disa vite.
Zonat e ftohta ku ndodh permafrosti, si rajonet malore dhe polare, reagojnë veçanërisht fuqishëm ndaj ndryshimeve klimatike.
Studimi, i publikuar në revistën Nature Communications, tregon se rritja e temperaturës së permafrostit në rajonet malore të Evropës është, në disa raste, po aq e lartë sa në Arktik, me ngrohjen më të madhe të zbuluar në vendet më të larta dhe më veriore.
“Pasi akulli në permafrost shkrihet, temperaturat fillojnë të rriten përsëri”, shkruan më tutje.
Ndryshe, rreth 5 për qind e Zvicrës përbëhet nga permafrosti, zakonisht në shkëmbinj të ftohtë dhe në lartësi mbi 2500 metra mbi nivelin e detit.
