Shkup, 31 korrik – Qeveria e Maqedonisë së Veriut duket se fokusin kryesor e ka vënë në ndërtimin e rrugëve. Ky veprim është për t’u përshëndetur sepse në të vertetë rrugët janë në gjendje katastrofale, por fokusi i qeverisë duhet të jetë edhe drejt spitaleve dhe institucioneve shëndetësore, ku fatkeqësisht situate është shumë e rënduar e gjithçka duket sikur në mesjetë, shkruan “Zhurnal.mk”.
Miliona euro në ndërtimin e rrugëve
Qeveria aktuale ka siguruar përqindjen më të lartë të ndërtimit të rrugëve në infrastrukturë që nga pavarësia e Maqedonisë së Veriut.
Qeveria ka lidhur marrëveshje partneriteti strategjik me Mbretërinë e Bashkuar, në bazë të së cilës është arritur bashkëpunim ekonomik në kushte të favorshme për ndërtimin e një hekurudhe me shpejtësi të lartë në Korridorin 10 dhe ndërtimin e spitaleve, ndërsa në të ardhmen e afërt po diskutojmë edhe për ndërtimin e projekteve energjetike që janë me rëndësi kapitale për të ardhmen e vendit.
Vetëm brenda një viti, është siguruar ndërtimin e 225 projekteve infrastrukturore në fazën e parë me vlerë gati 3 miliardë denarë dhe 615 projekteve infrastrukturore në fazën e dytë me vlerë gati 7 miliardë denarë.
Ka filluar ndërtimi i autostradës Tetovë-Gostivar me gjatësi prej 17.5 kilometrash, ndërtimi i autostradës Gostivar-Kërçovë (Bukojçan) me gjatësi prej 30.3 kilometrash, si dhe ndërtimin e segmentit autostradë Prilep-Manastir me gjatësi prej 39.3 kilometrash.
Është vënë në funksion segmenti Gradsko-Drenovë i autostradës ekspres Gradsko-Prilep me vlerë 37.4 milionë euro dhe gjatësi prej 15.5 km. Është vënë në përdorim autostrada ekspres (Stracin) Rankovce-Kriva Palankë, me gjatësi 25,4 kilometra, me vlerë rreth 98 milionë euro.
Gjithashtu është bërë rikonstruimi plotësisht i rrugës rajonale Ohër (Konjsko) – Shën Naum, me gjatësi 24,5 kilometra dhe vlerë 11,6 milionë euro. Ndërkaq, është vënë në përdorim linja hekurudhore në Korridorin 8, Kumanovë-Beljakovce, me vlerë 43 milionë euro dhe gjatësi 31 kilometra. Nga zero lokomotiva funksionale, vetëm për tre muaj, qeveria vendosi në përdorim 11 dhe u sigurua normalizimi i trafikut hekurudhor.
Gjithashtu u lëshua në përdorim autostrada Kërçovë-Ohër (segmenti Vrbjani-Ohër) me gjatësi 40 kilometra, shkruan “Zhurnal.mk”.
Shëndetësia kërkon investime urgjente
Tragjedia në Koçani dhe tragjeditë e tjera që kanë ndodhur nëpër spitale, janë dëshmia më e mirë se në çfarë situate janë spitalen në vendin tonë. Përderisa në Tetovë u dogjën njerëz të gjallë, me rastin e Koçanit , Qeveria u detyrua që shumicën e pacientëve t’i dërgojë nëpër spitalet e huaja jashtë shtetit.
Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se do të fillojë ofensivën më të madhe të infrastrukturës shëndetësore në dekadën e fundit, me vlerë mbi 205 milionë euro. Përmes ndërtimit, rindërtimit dhe pajisjes së objekteve shëndetësore në disa qytete, qëllimi është të ofrohet kujdes shëndetësor publik cilësor, i arritshëm dhe modern për të gjithë qytetarët.
Në këtë sferë, do të vazhdojë ndërtimi i Spitalit të ri Klinik në Shtip, pas ndërprerjes së kontratës së mëparshme për shkak të detyrimeve të paplotësuara nga ana e kontraktorit. Këtu përfshihet edhe Fakulteti i Mjekësisë, një konvikt studentor, infrastrukturë të plotë dhe parkim, e ky investimi total kap vlerën e 147.65 milionë euro.
Në Tetovë janë planifikuar dy pavione të reja për shërbime të specializuara shëndetësore — onkologji, sëmundje infektive, dermatologji, psikiatri dhe gjinekologji. Do të rindërtohen edhe departamentet kirurgjikale dhe të mjekësisë së brendshme, si dhe do të rregullohet plotësisht hapësira e spitalit. Ky projekt kushton 40 milionë euro.
Në Kërçovë, do të ndërtohet një spital i përgjithshëm krejtësisht i ri në një vendndodhje të re, i cili do të funksionojë si qendër shëndetësore rajonale. Objekti do të jetë modern, me efikasitet energjetik dhe i pajisur plotësisht, me një investim prej 18 milionë eurosh.
Por, edhe pse kanë kaluar një vit nga qeveria, nëpër spitale thuajse nuk është investuar asgjë. Milionat e lartëpërmendur janë vetëm planifikime, por qytetarët po vuajnë çdo ditë e më shumë. Spitalet janë bërë si në kohën e mesjetës, të mbingarkuara, pa ndodnjë menaxhim të duhur, të komplikuara për qasje dhe jo efikase ndaj pacientëve.
Prandaj, përveç rrugëve, të investohet edhe në kujdesin shëndetësor, sepse qytetarët e meritojnë një trajtim me dinjitet!, shkruan “Zhurnal.mk”.