Këshilli Bashkiak i Parisit votoi mbrëmjen e djeshme në unanimitet për vendosjen e pllakatës me emrin dhe në nderim të kolosit të letrave shqipe Ismail Kadare.
Pllaka do të vendoset në adresën 63 boulevard Saint-Michel në Paris, vendi ku ai dhe familja e tij jetuan për shumë vite dhe ku autori shkroi disa nga faqet më të bukura të letërsisë së tij.
Ambasada e Shqipërisë në Francë e cilësoi këtë votim si një homazh të gjallë dhe emocionues për kolosin e letrave shqipe Ismail Kadare dhe nëpërmjet tij njëkohësisht edhe Shqipërisë dhe kulturës shqiptare.
Kolosi i letërsisë shqiptare, Ismail Kadare, u nda nga jeta më 1 korrik të vitit të kaluar në moshën 88-vjeçare.
Ismail Kadare është personalitet qendror i kulturës shqiptare të gjysmës së dytë të shek. XX. Fillimet e tij letrare janë kryesisht në poezi: “Frymëzime Djaloshare”, “Përse mendohen këto male” etj.
Në fushën e prozës, Kadareja lëvroi tregimin, novelën dhe romanin. “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1963) përbën veprën e konfirmimit të talentit të tij.
“Kronikë në gur”, “Prilli i thyer”, “Kamarja e turpit”, “Pashallëqet e mëdha”, “ Kush e solli Doruntinën” etj., janë disa nga veprat e tij më të rëndësishme të krijimtarisë së tij letrare.
Veprat e Ismail Kadaresë janë përkthyer e botuar në mbi 45 gjuhë të huaja dhe është shkrimtari shqiptar më i njohur në botë. Ne vitin 1994 ai u bë anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike të Francës. Laureati i shumë çmimeve, në 2005-ën, u nderua me “The Booker Prize Man”.
Ismail Kadare është dekoruar me urdhrin “Nderi i Kombit” dhe nga shteti francez me urdhrin “Kryqi i Legjionit të Nderit”, si dhe me çmime e nderime të tjera.

